Meta thirrje Ramës dhe Bashës: Jepini fund krizës, integrimi nuk arrihet me lobime
Presidenti Ilir Meta i ka përcjellë një mesazh të fortë e të prerë klasës politike shqiptare, që t’i japë fund krizës së thellë.

“Duhet t’i jepet fund kësaj krize tërësisht artificiale, kushtetuese, që ende mbizotëron. Palët duhet të marrin përgjegjësi. Rruga e Shqipërisë është pa kthim dhe ka vetëm një alternativë, që është ajo e Bashkimit Evropian”, tha Meta, teksa mori pjesë në ceremoninë e 10-vjetorit të Fondacionit Gjerman “Konrad Adenauer”.

Duke folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Meta tha prerë se ky është një projekt i papërmbushur, teksa “thumboi” dhe kryeministrin Edi Rama, teksa u shpreh se ky proces arrihet vetëm me zbatimin e reformave dhe jo me lobime.

“Prezenca e këtij fondacioni ka qenë dhe mbetet dëshmi e jashtëzakonshme e forcimit të bashkëpunimit të dy vendeve. Veprimtaria e fondacionit përfshin mbështetjen e procesit të integrimit, mbështetje për të rinjtë, mbështetje për mos harrimin e të kaluarës. Harrojmë shpejt, harrojmë mbi të gjitha se ne nuk bëjmë dot pa Evropën dhe shqiptarët nuk mund të jenë as ato që kanë ëndërruar në vitet ‘90, pa një demokraci funksionale, pa zgjedhje të lira e të ndershme, pa parimet e kontrollit dhe balancës së pushteteve, pa media të lira, pa zgjedhje jo konkurruese.

Demokracia nuk ngelet në vend, nuk fotografohet, ajo forcohet e konsolidohet, ose tkurret e vdes. Ndaj është e rëndësishme t’i rikthehemi të kaluarës, për të mos lënë asnjë mundësi për t’u zhytur sërish në sistem jodemokratik.

Pas anëtarësimit në NATO, integrimi është projekti më i madh i shqiptarëve i papërmbushur. Ky proces bëhet vetëm me zbatimin e reformave dhe jo me lobime. Kërkohet reflektim i thellë e serioz nga të gjithë ne ndaj qëndrimit të fundit të Bundestagut, që na çon drejt dialogut, sundimit të ligjit, në shërbim të qytetarëve.

Më duhet të theksoj se disa nga shqetësimet që ata adresojnë nuk janë të reja, por të përsëritura prej të paktën tri vitesh në mënyrë sistematike. Këto ditë ne presim vendimin mbi çeljen e negociatave, urojmë dhe kërkojmë që ky vendim të jetë pozitiv dhe çdo vend që ka shqetësimet e tij konkrete shpresojmë t’i bashkohet qasjes së ndershme të Bundestagut, që të nxisë vendin të përmbushë të gjitha kriteret e nevojshme”, deklaroi Kreu i Shtetit.
Shtuar më 15/10/2019, ora 20:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori