Meta thirrje qeverisë: Të garanohen kushte të sigurta në vendin e punës për çdo sektor
Presidenti Ilir Meta në Ditën Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë i ka bërë thirrje Qeverisë për të garantuar me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha masat mbrojtëse për stafin mjekësor të cilët janë në vijën e parë të luftës.

Përmes një postimi në Facebook, Meta thekson se ka ndjekur me shqetësim situatën në sektorin fason, ku janë shfaqur një sërë problematikash, që mund të ishin shmangur nëse masat kufizuese, higjena dhe distancimi social në ambientet e punës do të ishin respektuar.

Postimi i plotë:

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të garantuar me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha masat mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin e tyre mbështetës, të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne.

Me shqetësim kam ndjekur këto ditë edhe situatën në sektorin fason, ku janë shfaqur një sërë problematikash, që mund të ishin shmangur nëse masat kufizuese, higjena dhe distancimi social në ambientet e punës do të ishin respektuar. Ndërkohë që ky sektor kryesor punëdhënës ka nevojë për një përkrahje më konkrete për të mbijetuar.

Garantimi i kushteve të sigurta dhe të shëndetshme të punës në çdo sektor, veçanërisht të kujtdo që është në vijën e parë kundër COVID-19, janë të domosdoshme për menaxhimin e pandemisë dhe rikthimin sa më shpejt në normalitet.

Jeta, shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve janë të parat! 🇦🇱
Shtuar më 28/04/2020, ora 10:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori