Meta:Të përfundojë procesi i dekriminalizimit
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot Raportuesin për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein, i cili shoqërohej prej Ambasadores së Bashkimit Evropian në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin.

Meta shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe në veçanti të z. Fleckenstein për avancimin e axhendës së reformave kyçe të Shqipërisë.

Në këtë kuadër, Meta theksoi se duhet përfunduar sa më shpejt procesi i dekriminalizimit për t’i hapur rrugë fokusimit të plotë në reformën e sistemit të drejtësisë, procesi i cili kërkon gjithëpërfshirje dhe qëndrueshmëri. Në të dy proceset, u shpreh z. Meta, ne vlerësojmë kontributin dhe opinionet e Komisionit të Venecias.

Raportuesi për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian, z. Knut Fleckenstein u shpreh se Parlamenti Evropian e vlerëson progresin e Shqipërisë dhe mbetet në pritje të Progres Raportit të Komisionit Evropian, i cili pritet të ofrojë vlerësime pozitive dhe rekomandime të mëtejshme për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, ku thelbësore do të jetë reforma në drejtësi, pa të cilën nuk mund të ketë progres të vendit.

Në përfundim, Meta nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë do vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Parlamentin Evropian në mbështetje të dialogut konstruktiv politik në vend dhe në nxitje të reformave kyçe që nevojiten për forcimin e shtetit ligjor dhe për mirëqeverisjen ekonomike. /albeu.com/


Shtuar më 22/10/2015, ora 16:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori