E RËNDË/ 12 anëtarët e familjes Jahiu “shuhen” në aksidentin në Bullgari, 6 ishin fëmijë

Një familje me 12-anëtarë u shua në aksidentin e rëndë mëngjesin e së martës në Bullgari, teksa po udhëtonte nga Turqia drejt Maqedonisë së Veriut pas ekskursionit që kishin kaluar atje.

Familja 12-anëtarëshe Jahiu ka humbur gjashtë fëmijët që ishin në atë autobus bashkë me gjashtë familjarët e tjerë. Sipas informacioneve që KOHA ka marrë nga të afërmit e viktimave, të gjashtë fëmijët ishin nën 12 vjeç.

Në shkollën ku fëmijët kishin vijuar mësimin, sot është ndërprerë mbajtja e mësimit në nderim të tyre, raporton KOHA.

Deri tani, nuk ka informacione zyrtare mbi shkaqet që çuan në aksidentin e autobusit. Pronari i kompanisë së autobusit është intervistuar nga organet kompetente dhe ka thënë se nuk ka pasur më parë incidente me linjat e autobusëve të tij.

Dyshohet se në autobus ka pasur shishe të mbushura me naftë, ndonëse një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Gjithsesi hetimet janë në vijim e sipër dhe pritet që shumë shpejt të dalë një rezultat konkret nga ekspertiza./albeu.com/