Meta takoi Ahmetin dhe Thacin
Albeu.com
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, të mërkurën mbrëma në Tetovë realizoi takime me liderët e dy partive shqiptare në Maqedoni, BDI-së dhe PDSH-së, Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin.Vendimi i GJND-së në favor të Kosovës , çështjet ekonomike, kontesti i emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe eurointegrimet e vendit kanë qenë tema kryesore në takimin midis liderëve të dy partive shqiptare në Maqedoni dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta.

Lideri i BDI-së me këtë rast u shpreh se është diskutuar për shumë çështje që kanë të bëjnë me dy vendet si dhe me rajonin në përgjithësi .

”Vlerësuam në vecanti vendimin e GJND-së , vlerësuam edhe bashkëpunimin midis dy vendeve tona me obligime që ky bashkëpunim në të ardhmen të rritet në të gjitha nivelet”. Ahmeti përmendi bashkëpunimin midis dy qeverive, ministrive, parlamenteve dhe grupeve parlamentare.

Meta në anën tjetër tha se vlerëson kontributin që jep kjo forcë politike shqiptare për integrimin euroatlantik dhe Europian të Maqedonisë por njëkohësisht edhe angazhimin e saj për të konkretizuar marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë që dihet se janë marrëdhënie shumë solide dhe janë marrëdhënie të cilat bazohen në perspektivën e përbashkët euroatlantike dhe evropiane .

Maqedonia sipas tij e ka vendin e saj si anëtare e barabartë në gjirin e Aleancës së Atlantikut të Veriut pasi ka kontribute të vecanta dhe si themeluese e Kartës së Adriatikut bashkë me Shqipërinë , Kroacinë dhe SHBA-në.

Në takimin me liderin e PDSH-së Menduh Thaçi, Ilir Meta dhe Thaçi biseduan për më shumë tema. Siç deklaroi lideri i PDSH-së pas takimit, pikat kryesore për të cilat kanë biseduar, kanë qenë vendimi i kohë mëparshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, pastaj e ardhmja e Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërsië në proceset integruese euro-atlantike. Të dy liderët kanë konstatuar se integrimi i Maqedonisë në BE dhe NATO i kontribuon paqen dhe stabilitetin në rajon dhe se në këtë drejtim duhet punuar maksimalisht. (ina)
Shtuar më 29/07/2010, ora 04:22
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori