Meta: Të vendosur në implementimin e Reformës në Drejtësi përmes Vetting-ut
Në vijim të vizitës së tij në Washington DC, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u prit në takim nga Kongresmeni Pete Sessions, Kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave në Kongresin Amerikan.

Kongresmeni Sessions vlerësoi rëndësinë e miratimit të Reformës në Drejtësi. Ai nënvizoi mënyrën e miratimit të saj konsensual dhe vlerësoi vendosmërinë e Metes për konsensus të plotë, duke konfirmuar se edhe administrata e re amerikane do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në implementimin përfundimtar të saj.

"Kjo reformë, nënvizoi z. Sessions, i shërben jo vetëm ndërtimit të institucioneve të besueshme të drejtësisë, por edhe forcimit të sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të Shqipërisë".

"SHBA do të vazhdojnë të ndjekin nga afër dhe do të mbështesin angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe do të jetë në krah të saj, si anëtarë të NATO-s, në sfidat e tjera bashkëkohore”, konfirmoi Kongresmeni Sessions.

Një Amerikë më e fortë kërkon një Shqipëri të fortë, theksoi gjatë takimit Pete Sessions. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Meta uroi Kongresmenin Sessions për rizgjedhjen e tij si Kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave, për fitoren e maxhorancës së Partisë Republikane në Kongres e në Senat si dhe për fitoren e Presidentit Trump.

Ai e falenderoi Kryetarin e Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave për mbështetjen e deritanishme të SHBA-së dhe siguroi se Shqipëria është e vendosur të përmbushë në një kohë të shpejtë implementimin e plotë të reformës në drejtësi përmes zbatimit të ligjit të Vetting-ut dhe krijimit të institucioneve të reja.

Meta e siguroi Z. Sessions për qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë në përballjen e sfidave të përbashkëta dhe përmbushjen e detyrimeve të saj në partneritetin strategjik që ajo ka me SHBA-në.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit, Meta, e ftoi Z. Sessions për një vizitë në Shqipëri, ftesë e cila u pranua me kënaqësi të veçantë.
Në përfundim të takimit, z. Ilir Meta dhe z. Pete Sessions dhanë një prononcim të përbashkët për shtyp:

Kongresmeni Pete Sessions

“Ajo që dua të them, është se ne u takuam së bashku për të diskutuar marrëdhëniet mes popullit amerikan dhe popullit shqiptar. SHBA dëshiron që shqiptarët të kenë një të ardhme të lumtur, të jenë të suksesshëm dhe të kenë një jetë më të mirë. Ne në Shtetet e Bashkuara jemi të bindur se duke bashkëpunuar me shqiptarët, jo vetëm do të forcojmë Shqipërinë dhe rajonin, por do ta bënim botën edhe më të mirë.

Ata që kanë fëmijë, përpiqen të kenë një jetë më të mirë për fëmijët e tyre, edhe në SHBA është e njëjta gjë, kështu që kemi shumë të përbashkëta. Jam shumë krenar që ju ndodheni sërish për një vizitë në SHBA, jo vetëm për të riafirmuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, por edhe për t’i çuar ato më përpara. Unë besoj se Donald Trump do të bashkëpunojë ngushtë për t’i forcuar edhe më tej marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Jam i bindur se viti 2017 do të jetë i suksesshëm”.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta

“Ju faleminderit për pritjen z. Sessions. Jam shumë i lumtur që ju takoj dhe t’ju uroj për rizgjedhjen tuaj si Kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave në Kongresin Amerikan, por edhe për t’ju uruar për suksesin e Partisë Republikane në Kongres, Senat si edhe në garën për Presidentin e SHBA-ve. Ne mbështetemi te SHBA-të dhe do të punojmë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve tona, marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kongresit Amerikan dhe Kuvendit të Shqipërisë. Njëkohësisht, jam i sigurt se vizita juaj e ardhshme në Shqipëri do të jetë shumë domethënëse dhe do të shërbejë për përmirësuar marrëdhëniet, duke ecur paralelisht me përpjekjet e administratës së re për të përforcuar partneritetin strategjik midis SHBA-ve dhe Shqipërisë”. /albeu.com/
Shtuar më 19/01/2017, ora 11:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori