Meta: Shqiptaret ja kane hequr vizen Berishës
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta vlerëson se koalicioni me PS-në, është një koalicion funksional. Në një intervistë për “Top Story”, të gazetarit Sokol Balla, Meta u shpreh se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, ai do të qëndrojë në anën e koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’.


Intervista

Z. Meta, le të fillojmë me situatën politike që po shoqëron këtë fushatë elektorale, ku kemi një rritje të toneve të ashpra nga dy partitë e mëdha. Ka pasur edhe incidente, ku sot në to janë përfshirë edhe kandidatë tuajit për deputet në Qarkun e Kukësit. A keni një koment për këto zhvillime?



Duke shprehur kënaqësinë që jam me ju dhe me kolegët tuaj, dua të shpreh dëshirën dhe vullnetin tim dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim që kjo fushatë të jetë sa më konstruktive, të jetë sa më qytetare sepse në këtë mënyrë duhet të ndihmojmë për të arritur standardet më të mira në këto zgjedhje, sepse është shumë e rëndësishme për të gjithë ajo që vjen pas zgjedhjeve dhe vlerësimi i standardit të këtyre zgjedhjeve nga vetë qytetarët, të cilët në 24 qershor, pavarësisht nga rezultati, duhet të ndihen shumë të qetë që vota e tyre është vlerësuar dhe është çuar drejt, por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Sepse pas miratimit të tre ligjeve nga Kuvendi, testi i zgjedhjeve është më kruciali për marrjen e statusit kandidat brenda këtij viti. Lidhur me incidentin që ju përmendët, ka pasur një incident sot ndaj kandidatëve për deputet të LSI-së, të cilët kanë qenë për një tur në rrethin e Hasit dhe në mënyrë krejt arbitrare janë bllokuar nga policia, e cila ka rrethuar mjetin e tyre pa asnjë arsye, e ka mbajtur për disa orë deri sa janë bërë reagimet publike dhe pastaj kjo çështje është mbyllur. Dhe mendoj se është një sjellje shumë e vjetër që i takon viteve ’94 – ’96 dhe shpresojmë të jetë thjesht një episod, një papërgjegjshmëri e servilëve vendorë të ministrit Noka. Shpresoj që ministri ti orientojë qartë se ata nuk kanë punë me politikën dhe fushatën. Duhet të jenë garant të ruajtjes së rendit publik edhe të një fushatë të qetë dhe të emancipuar.



Dëgjova edhe deklaratën e kryesocialistit Rama nga Kukësi, i cili foli në një gjuhë të ashpër ndaj ministrit Noka. Pse Kukësi po kthehet në një histori interesante të këtyre zgjedhjeve, pasi duket si nju histori e mbyllur nga pikëpamja e shifrave po ti referohemi 2009-ës?



Nuk është thjesht çështja e Kukësit. Mendoj se një përgjithësi ekziston një dëshirë e fortë e shumicës së qytetarëve tanë për një ndryshim.



Ju keni edhe kryetarin e Bashkisë tuajin atje?



Po, është një kënaqësi, ka qenë një vendim i tij edhe padyshim që është tepër i vlerësuar dhe i mirëpritur. Por, ju përmendët rastin e Kukësit dhe unë mund t’ju them, sepse vërtet ka bërë shumë përshtypje një fakt i tillë, të cilin e kam mësuar përpara një jave në Kukës. Në këto katër vite, që kur është inauguruar Rruga e Kombit, një investim madhor, i jashtëzakonshëm prej më shumë se 1 miliard dollarë, ku qyteti që ka përfituar më shumë në kuptimin e distancës me kryeqytetin ka qenë qyteti i Kukësit. Pra, nga 7 orë që bëhej më përpara dhe duhet ta çoje menjëherë makinën në servil, tani mund ta bësh për 1 orë e gjysmë. Dhe ajo që ka ndodhur është se në katër vjet në këtë qytet nuk janë shtuar vendet e reja të punës, por në këtë qytet janë shtuar familjet të cilat mbijetojnë me asistencë sociale. 2 mijë familje, nga 4 mijë që ka Kukësi mbijetojnë vetëm me një asistencë sociale jashtëzakonisht modeste, 30-40 mijë lek të vjetra në muaj. Që do të thotë se rruga normalisht që është një mundësi e madhe për zhvillim, por nuk sjell domosdoshmërish zhvillim nëse nuk ndiqet edhe me politika të tjera mbështetëse, zhvillimore nga ana e qeverisë. Mendoj se ka arsye ekonomike, ka edhe arsye edhe politike. Mendoj se një arrogancë e demonstruar nga ana e PD-së apo lidershipi i saj në nivele të ndryshme, si në nivel qendror apo edhe nivele vendore natyrisht që krijon edhe një reaksion qytetar. Edhe incidenti i sotëm që ju përmendët krijon një reaksion. Nuk mund të tremben njerëzit tani në vitin 2013 duke përsëritur praktika që Shqipëria i ka lënë prapa dhe nuk duhet ti ndeshë më në të ardhmen e saj.



Z. Meta, si e gjykoni faktin që Kukësi votoi në 2009 për PD-në, ndërkohë që kryetari i Bashkisë së këtij qyteti kaloi me LSI?

Kukësi dhe ajo zonë votoi në 2009 në këtë mënyrë edhe në shenjë të vlerësimit për një investim madhor që normalisht edhe ata e ndjenin më shumë se kushdo edhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, por në 4 vjet u votua një herë nuk mund të votohet dy herë për të njëjtën gjë. Pra, është krijuar një deficit i madh midis premtimeve të bëra dhe realitetit që është shumë i ndryshëm.

Si e komentoni ndryshimin e qëndrimit të zyrtarit të lartë të DASH, Jonathan Moore se tashmë është edhe Kolegji Zgjedhor ai që i jep një zgjidhje krizës në KQZ? A shikoni një zgjidhje apo tashmë i keni hequr vizën KQZ-së?

Ne nuk i kemi hequr vizën KQZ-së. Vizën ia hoqi z. Berisha me veprimin arrogant dhe të paligjshëm që bëri ndaj KQZ-së. Natyrisht ka qenë dhe mbetet në dorën e tij nëse reflekton për të rivendosur besimin midis palëve dhe konsensusin. Kjo është një çështje tjetër. Por duket qartë që është i vendosur të mos kthehet mbrapa pavarësisht se unë besoj se e ka kuptuar që ka gabuar që ka bërë një hap të gabuar kështu që edhe ne jemi të vendosur që të ecim përpara. Dhe nuk besoj se fatin e këtyre zgjedhjeve e vendos KQZ-ja apo Kolegji Zgjedhor. Fatin e këtyre zgjedhjeve do ta vendosin qytetarët shqiptarë dhe ne si opozitë do të jemi në çdo qendër votimi me përfaqësuesit tanë sipas Kodit, sipas ligjit, në çdo qendër numërimi, në çdo KZAZ ku do të shpallet rezultati i qytetarëve shqiptarë dhe pa diskutim edhe fitorja e opozitës. Kështu që KQZ-ja mund të vazhdojë kështu siç është. Natyrisht edhe Kolegji ka rolin e tij bazuar në ligj, por askush nuk mund të mendojë se mund të zëvendësojë institucionet legjitime të cilat janë sipas Kodit dhe të cilat kanë të gjitha përgjegjësitë e tyre në këtë proces me një gjysmë KQZ.

Ju keni cilësuar rolin e LSI-së si historik në miratimin e tre ligjeve, a është realisht historik roli i LSI-së në këtë rast?

Unë besoj se është një rol i tillë dhe pse e nënvizoj këtë? Sepse ne i vlerësojmë gjërat kur ndodh dëmi më i madh sesa ne mendojmë apo e parashikojmë dhe insistimi ynë për miratimin e këtyre tre ligjeve tani pavarësisht nga vonesat kishte të bënte me faktin se në rast se kjo do të shtyhej në shtator apo në tetor ne nuk do të mund të merrnin statusin e vendit kandidat në dhjetor. Në rast se kjo gjë do të ndodhte, pastaj kemi shumë zhvillime të tjera në Bashkimin Evropian dhe ka qenë diçka e diskutuar qartë edhe me komisionarin Fule dhe me përfaqësues më të lartë të Bashkimit Evropian, që mundësia më e shpejtë në këto rrethana në të cilat jemi është që kjo çështje të raportohet tani dhe në dhjetor Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Përndryshe, statusi mund të shtyhej edhe dy apo tre vjet sepse askush nuk mund të parashikojë zhvillimet në BE, kemi zgjedhjet në Gjermani, kemi zgjedhjet në Parlamentin Evropian e kështu me radhë. Prandaj ishte diçka shumë e rëndësishme për të gjithë vendin dhe mendoj se kompromisi ishte shumë i rëndësishëm dhe jo pranueshëm dhe ne jemi shumë të qetë sepse kemi realizuar kushtet minimale. Tani kemi zgjedhjet dhe është e rëndësishme që të ndihmojmë procesin e zgjedhjeve që të arrijë standardet më të larta dhe pastaj të vijë vazhdimësia e të gjithë reformave që kërkohen. Por ajo që është e domosdoshme sepse ju e nisët duke evidentuar një fushatë të ndezur me akuza. Ne do tw kemi njw mazhorancë tw re e cila sjell edhe njw frymë tw re bashkëpunimi. Kjo do ta ndihmojë Shqipërinë të ecë vërtetë më shpejt për realizimin e të gjithë reformave që kërkon vazhdimi i këtij procesi.

Në fushatë kemi vënë re se nuk keni ndonjë kundërshtim të madh ndaj Kryeministrit Berisha dhe nuk keni ndonjë aleancë të madhe apo partneritet të natyrshëm me Edi Ramën. Duket sikur nuk jeni as në opozitë të vërtetë me z. Berisha dhe as në partneritet me z. Rama. A është e qëllimshme, rastësore apo strategjik ky shpjegim?



Jemi mësuar që në vendin tonë, ose eksperienca e deritanishme është që dikush duhet të jetë patjetër me dikë dhe kundër dikujt tjetër ose anasjelltas. Mendoj se LSI-ja është një forcë politike e cila tani ka historinë e saj, ka veçantinë e saj, ka pozicionin e saj politik dhe është shumë e natyrshme dhe shumë e qëndrueshme në këtë pozicion që ka. Në raport me qeverinë që në momentin që ne vendosëm të konsiderojmë të mbyllur marrëveshjen 4-vjeçare ne i kemi bërë të qarta edhe disa nga arsyet kryesore të cilat mendojmë që na kanë imponuar këtë vendim në funksion të një roli më të madh të LSI-së për të ndihmuar vendin të ecë më shpejt përpara në rrugën e integrimit në rrugën e zhvillimit, etj. Përqendrimi i tepërt dhe i jashtëzakonshëm i pushteteve, sidomos nga momenti i zgjedhjes së presidenti dhe në vijimësi është thënë disa herë dhe në mënyrë të vazhdueshme nga ana jonë dhe është bërë evidente dhe mendoj që ka qenë një katalizator edhe për këtë pozicion të ri që ka sot LSI-ja ku ne mendojmë që këto ekuilibra demokratikë do të rivendosen përmes votës, përmes një mazhorance të re, përmes një qeverie të re. Natyrisht askush nuk duhet të presë që unë të akuzoj apo akoma më tepër të shaj z. Berisha për shumë arsye. Sepse e para, kjo nuk është se na ndihmon ne të evidentojmë më mirë qëllimet tona, prioritetet tona dhe ajo që intereson vendit apo që i intereson qytetarëve. E dyta, nuk është shumë etike sepse deri para disa muajsh unë edhe kam bashkëpunuar me të, ndërsa sa i takon raporteve brenda koalicionit mendoj se raportet janë mjaft konstruktive. Objektivat janë të përbashkëta,prioritete janë të përbashkëta, ndërsa çështja pse e bëjnë fushatën vetëm dhe pse nuk e bëjnë bashkë, është më shumë e stisur. Sepse PBDNJ-ja që është në koalicion e bën fushatën më vete apo edhe partitë e tjera e bëjnë fushatën më vete…



Aleanca mes PS dhe LSI është quajtur nga Edi Rama si një aleancë strategjike, pra i është dhënë një rëndësi të veçantë…

Sigurisht, sepse ka disa qëllim strategjike afatgjata dhe kjo është mjaft normale,. Por besoj se ajo që vendi ka nevojë, që jeta politike ka nevojë, është për një forcë politike e cila përpiqet të përqendrojë vëmendjen e saj dhe energjitë e saj te prioritete kryesore që ka vendi dhe jo thjesht për të treguar besnikëri ndaj aleatit të ri apo armiqësi ndaj një aleati të mëparshëm. Në fund të fundit vendi ka nevojë për një standard të ri do të thosha të të bërit politikë të komunikimi publik dhe ne mendojmë se kjo e çon përpara politikën shqiptare.



Në zgjedhjet e fundit ju keni përcaktuar dy herë fituesin dhe humbësin. Doni ta përsërisni këtë fabul apo po bëni një lojë të re në kuptimin taktik të fjalës për të qenë ju fituesi këtë herë?

Ne duam që fituesit e këtyre zgjedhjeve të jenë të gjithë qytetarëve shqiptarë. Të jetë e ardhmja e vendit dhe kjo nuk është një retorikë, nuk është një propagandë. E them këtë me bindje të plotë, sepse qytetarët janë rraskapitur duke parë për gati 20 vjet një palë që merr pushtetin dhe që fillon pastaj shkarkimet masive nga puna. Krijon probleme në stabilitetin e funksionimit të institucioneve, të administratës të projekteve e kështu me radhë ndërkohë që ne tani duhet të krijojmë një klimë tjetër dhe qytetarët në jetën e tyre të jenë sa më pak në trysninë e politikës. Dhe po të shikojmë fushatën, nuk mund të ndodhë kjo që të jenë politikanët nga mëngjesi deri në darkë transmetim direkt në televizion nëpër mitingje. Ka shumë politikë dhe ka shumë pak produkt praktikisht në raport me politikën sa i takon një progresi social dhe zgjidhjes së problemeve së qytetarëve. Në këtë kuptim ne mendojmë se duhet ta bëjmë politikën më tokësorë dhe më njerëzore.



Z. Meta ka ndonjë zgjidhje sipas jush për kreditë e këqija, që është një problem shumë i madh?

Unë besoj se kjo është një situatë plotësisht e zgjidhshme. Është e vërtetë që jemi në një situatë ekonomike më tepër se sa në një stanjacion, në prag të një kolapsi. Kjo për arsye sepse ka munguar vullneti për tu përqendruar tek ekonomia dhe për t’i zgjidhur problemet çdo ditë dhe jo për të lënë rritjen e tyre çdo ditë. Për rastin konkret unë mendoj se baza e këtij bllokimi qëndron pikërisht tek gjendja shumë e vështirë në të cilën ndodhet biznesi. Ky borxh i cili nuk është shumë qartë i identifikuar se ka munguar një transparencë. E para për sa i takon punëve publike të papaguara nga ana e qeverisë për kompanitë që kanë bërë veprat publike dhe e dyta për sa i takon rimbursimit të TVSH-së për bizneset dhe për sipërmarrjet dhe ka krijuar edhe kjo një bllokim për shumë biznese. Në mirëbesim me qeverinë e tyre bizneset që kanë bërë rrugë apo ujësjellës me shpresën se do t’i marrin paratë nga qeveria sa më shpejt. Kjo gjë nuk ka ndodhur dhe situata e tyre është përkeqësuar. Biznesi ka arritur në gjendjen më kritikë dhe në vend që të bëjë investime heq edhe njerëz nga puna për të ulur kostot dhe për të mbijetuar. Në këtë kuadër gjëja e parë që dot bëhet është pikërisht identifikimi i këtij borxhi që ka qeveria ndaj bizneset, i cili luhatet 350-450 milionë euro sipas vlerësimeve paraprake. Nuk ka një statistikë sot të shprehur qartë. Një pjesë e tij është një kredi që biznesi e ka marrë dhe ka rritur nivelin e kredive të këqija. Ka disa mënyra se si kjo çështje mund të zgjidhet por në çdo rast është një çështje krejtësisht e zgjidhshme brenda muajve të parë të qeverisjes së ardhshme, qoftë duke e rritur përsëri kufirin e borxhit. Kjo do të jepte një zhbllokim të gjithë jetës ekonomike të vendit. Më pas edhe përmes manovrave të tjera, me obligacionet e kështu me radhë. Deri më tani nuk ka pasur një vullnet për ta zgjidhur këtë dhe problemi kryesor për situatën ekonomike është se Kryeministri aktual ka pasur mendimin se Shqipëria është mirë. Vetëm kohët e fundit është pranuar efekti i krizës greke apo i krizës evropiane. Ky lloj vetëkënaqësie ka vonuar ndërhyrjet e tilla të domosdoshme. Çështja e TVSH-së përshembull është një problem i madh sepse shumica e bizneseve nuk janë rimbursuar. Kjo ka krijuar probleme të mëdha me funksionimin e tyre. ne kemi një zgjidhje përmes rimbursimit automatik që kjo gjë të mos lihet në dorën e administratës tatimore, në humorin apo selektivitetin e tyre. Kjo është çështje vullneti. E vërteta është që ekonomia nuk ka qenë prioriteti kryesor që në fakt duhet të ishte. Prioritet kryesor ka qenë politika dhe bërja e sa më shumë lajmeve. Kjo ka sjellë këtë mungesë vendimmarrjeje në kohën e duhur. Thelbi është që ne duhet të japim fund këtij modeli të deritanishëm, këtij spontaniteti, në zhvillim. Kjo ka qenë ekonomi në bazë konsumi dhe që financohet nga të ardhurat e emigrantëve, gjë që nuk mund të funksionojë më. Ne kemi nevojë për një ekonomi që prodhon, ul importet, rrit eksportet dhe garanton një rritje ekonomike të qëndrueshme, një Shqipëri që prodhon dhe njëkohësisht një punësim të sigurt dhe afatgjatë për qytetarët tanë.

Shtuar më 07/06/2013, ora 10:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori