Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistes Besa Imami
Pëlqej
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, znj. Monika Kryemadhi, mori pjesë në homazhet e zhvilluara pranë Teatrit Kombëtar në nder të “Artistes së Merituar”, Besa Imami, e cila u nda nga jeta një ditë më parë.

Kryetari i Kuvendit vendosi buqetë me lule, ndërsa shkroi një mesazh ngushëllimi në Librin e Ngushëllimeve.

Në një prononcim për mediat, z. Meta u shpreh se kjo është një ditë e trishtë për të gjithë qytetarët dhe sidomos për komunitetin e artistëve. Kryetari i Kuvendit, theksoi se Besa Imami ka lënë pas një trashëgimi të shkëlqyer të veprave me punën e saj.

“Kjo është një ditë tjetër e trishtuar për të gjithë qytetarët, sidomos për komunitetin e njerëzve të kulturës dhe të artit, të kinematografisë, të teatrit, pasi një ikonë e ekranit, e filmit dhe e Teatrit tonë Kombëtar, aktorja e shquar Besa Imami, është ndarë nga jeta duke lënë një dhimbje të thellë për familjarët, për kolegët, për të gjithë botën e kulturës dhe të kinematografisë, të teatrit. Por për fat të mirë duke lënë pas edhe një trashëgimi të shkëlqyer të veprave që ajo ka krijuar me punën e saj, me talentin e saj të jashtëzakonshëm, të cilat për fat të mirë na ndihmojnë të gjithëve për ta kujtuar gjithmonë”, theksoi z. Ilir Meta.
Shtuar më 22/09/2014, ora 14:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori