Meta shpjegon Nano-n: Ishte inatçor
Presidenti Ilir Meta ka folur për raportet me ish-kryetarin e PS-së dhe ish-kryeministrin Fatos Nano.

Në një intevistë që dha mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Opinion”, Meta ka rrëfyer çfarë ndodhte mes të dyve në selinë rozë.

INTERVISTA

Fevziu: Po raportet me Fatos Nanon, si i keni pasur? Raporti juaj ka qenë kur ai ishte kryetar i partisë, kur ju u bëtë nënkryetar, edhe pse në burg… Më pas ka pasur shumë ulje-ngritje. Si do ta përcaktonit sot?

Meta: Raportet e mia me Nanon gjithmonë kanë qenë shumë të sinqerta nga ana ime. Unë kam pasur vlerësimet e mia shumë pozitive për të. Kam pasur kritikat e mia për të në aspektin që nuk kam qenë në një raport…

Fevziu: Por ju kështu më thatë edhe për Ramën, që i keni pasur të sinqerta? Për Berishën të sinqerta. Për Nanon të sinqerta? Po ndonjë njeriu a ua keni “futur”? Se në politikë gjithmonë ka…

Meta: Unë nuk e kuptoj se çfarë do të thotë kjo?!

Fevziu: “Futur” në kuptimin politik të fjalës?

Meta: Ajo që po theksoja është se kanë qenë shumë të sinqerta. Mund të kem pasur ato mendimet e mia të kundërta për shumë çështje. Këto ia kam shprehur hapur.

Fevziu: Si ishte Fatos Nano si personazh? Dhe si kryetar i Partisë Socialiste?

Meta: Mendoj se ai ishte një politikan, i cili kishte vizion. Kur ishte i qetë mund të bënte analiza të shkëlqyera, të kapte thelbin e çështjeve, të problemeve.

Fevziu: Ishte inatçor?

Meta: Po, edhe ishte, edhe s’ishte në kuptimin që…

Fevziu: Harronte shpejt?

Meta: Ishte sa inatçor, aq edhe tolerant në kuptimin e reflektimit.

Fevziu: Kur i ktheheni sot mbrapa, në vitin 2004 nuk shihnit ndonjë zgjidhje tjetër veç largimit nga Partia Socialiste? Ju kishit qenë kryeministri, zëvendëskryeministri i kësaj partie?

Meta: Së pari, nuk mu la një alternativë tjetër dhe së dyti, unë jam shumë i lumtur që kam ndërmarrë një nismë të tillë, pavarësisht se ajo nuk ka qenë një gjë e lehtë dhe e thjeshtë, pasi përmes krijimit të LSI-së unë u dhashë shumë mundësi shumë njerëzve, shumë të rinjve që do ta kishin të pamundur që t’i kishin këto mundësi për të treguar aftësitë e tyre në jetën politike.

Fevziu: Ndërkohë sot, çfarë raportesh keni me Nanon? Komunikoni?

Meta: Kur shihemi, përshëndetemi.

Fevziu: Pra, është një raport relativisht korrekt?

Meta: Për mua është një raport korrekt.
Shtuar më 30/11/2018, ora 13:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori