Kurti dhe Blinken diskutojnë për strehimin e afganëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken kanë zhvilluar një bisedë telefonike lidhur me ndihmën që Kosova ka ofruar në strehimin e afganëve të cilët janë evakuuar nga Afganistani pasi talibanët morën kontrollin e vendit.

Përmes një deklarate, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se Sekretari Blinken e ka falenderuar Kosovën për strehimin përkohësisht të individëve në rrezik nga Afganistani.

“Mbështetja e palëkundur humanitare e Kosovës është një dëshmi e gatishmërisë dhe kapacitetit të saj për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale”, thuhet në deklaratë.

Për bisedën ka njoftuar edhe kryeministri Kurti përmes një statusi në rrjetin social Twitter.

“Kosova është e nderuar të ofrojë një mjedis të sigurt për qytetarët afganë gjatë tranzicionit të tyre. Aleanca jonë me SHBA-në është e palëkundur dhe miqësia jonë po bëhet më e fortë”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se Sekretari Blinken i ka shprehur Kosovës mirënjohjen në emër të presidentit amerikan, Joe Biden për bashkëpunimin dhe ndihmën.

Kontaktet e udhëheqësve shtetërorë të Kosovës dhe atyre të SHBA-së janë shpeshtuar që prej se në Kosovë kanë filluar të arrijnë grupe të afganëve që janë evakuuar nga Afganistani.

Më 2 shtator edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një bisedë telefonike me nënpresidenten e SHBA-së, Kamala Harris.

Shtëpia e Bardhë pati thënë përmes një njoftimi se nënpresidentja Harris shprehu mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për ndihmën e Kosovës në përpjekjet e evakuimit nga Afganistani.

Më 16 gusht Kosova miratoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të strehuar një numër afganësh që kanë punuar me forcat e huaja gjatë 20 vjetësh të luftës në Afganistan dhe të cilët ndjehen të pasigurtë nën sundimin e talibanëve, të cilët e morën kontrollin e Afganistanit, pas tërheqjes së ushtarëve amerikanë dhe të vendeve aleate.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha për Radion Evropa e Lirë të hënën se deri më tani në Kosovë janë strehuar përkohësisht 683 shtetas afganë.

Sveçla bëri të ditur se përveç kampit Bechtel-Enka në Ferizaj, afganët tani po strehohen edhe në kampin ushtarak amerikan, Bondsteel. Aty, aktualisht janë strehuar 91 afganë.

Ministri Sveçla po ashtu bëri të ditur se sipas planit, ardhja e qytetarëve afganë do vazhdojë edhe gjatë kësaj jave./REL


Shtuar 6.09.2021 18:55