Meta: Rrotacioni, një faqe të re do të hapet për Kuçovën
Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një takim në qytetin e Kuçovës, takim në të cilin është prezantuar ekipi i kandidatëve për deputetë në Qarkun e Beratit. I pranishëm në këtë takim, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, prezantoi kandidatët Nasip Naço, Gledjon Rehovica, Selfo Kapllani, Silva Caka, Lefter Kuqo, Valbona Papa, Mimoza Veliko dhe Emiljano Kamsi.

Në fjalën e tij z. Meta tha se eshtë shumë e rëndësishme që Kuçova të ketë më në fund vendin që i takon në Kuvendin e Shqipërisë, sepse ky vend i ka munguar prej kohësh”, tha kryetari i LSI-së.


“Kanë qenë me qindra intelektualë, inxhinierë, arkitektë, të cilët kanë kontribuar shumë për zhvillimin ekonomik të gjithë vendit, të industrisë ë naftës dhe industrive të tjera. Ndaj Kuçova i ka të gjithë potencialet që të gjallërojë jetën e saj ekonomike dhe sociale, sepse prioriteti ynë kryesor do të jetë nxitja e punësimit dhe hapja e vendeve të reja të punës. Sepse kjo është e vetmja rrugë që ky popull punëdashës dhe duarartë të jetë i angazhuar çdo ditë për një të ardhme të cilën e ndërton vetë dhe për të cilën ka nevojë për mbështetjen e qeverisë dhe të shtetit”, tha Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.


Me tej Meta, deklaroi se qytetarët janë ngopur me gënjeshtra dhe me mashtrime.

“Në muajin dhjetor ne deputetët e LSI-së vendosëm veton për buxhetin që do të kalonte në parlament, sepse nuk ishte parashikuar asnjë lek për rikonstruksionin e rrugës që lidh Lushnjen me Beratin dhe me Kuçovën, e cila ka qenë në gjendje katastrofike dhe kështu vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite. Pas ndërhyrjes sonë u vendosën në buxhet gati 5 milionë euro, por asgjë nuk ka ndodhur. Asnjë investim dhe rikonstruksion për këto rrugë të rëndësishme, për Kuçovën, për Beratin, nuk është realizuar ndërkohë që siç e keni ndjekur edhe ju nga mediat, vetëm para pak ditësh 400 mijë dollarë nga fondi rezervë që qeveria duhet të ruajë për emergjenca dhe fatkeqësi natyrore ia janë dhënë një kompanie në SHBA për të lobuar, për të dezinformuar SHBA-të sipas interesit të Kryeministrit që po largohet” perfundoi ai. /albeu.com/


Shtuar më 16/05/2013, ora 12:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori