Meta propozon Tavon ministër të Shëndetësisë
Pëlqej
Ilir Meta
Deputeti i ri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, i cili pak ditë më parë braktisi Partinë Socialiste, pritet të jetë edhe ministri i ri i Shëndetësisë në kabinetin “Berisha”.

Burime në LSI bëjnë të ditur se Kryeministrit Berisha i është kërkuar zyrtarisht nga ana e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, edhe shkarkimi i ministrit aktual të Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe zëvendësimi i tij me ish-deputetin socialist, Vangjel Tavo.

Po kështu, burimet bëjnë të ditur se tashmë i takon Kryeministrit Berisha që të vendosë kohën e duhur se kur do të bëhet ky zëvendësim, i kërkuar prej aleatit të tij më të ngushtë në qeverisje, zëvendëskryeministrit Ilir Meta.

Lëvizja e deputetit të Qarkut të Gjirokastrës, Vangjel Tavo, nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duket se ka pasur në thelb edhe këtë emërim të tij në këtë post të rëndësishëm të kabinetit.

Nga ana tjetër duket se deputeti më i ri i grupit parlamentar të LSI-së, Tavo, i përshtatet edhe profilit profesional të tij.

Kjo sepse Vangjel Tavo është një mjek në profesion. Lëvizja e Tavos drejt Ministrisë së Shëndetësisë, pritet të pasojë edhe lëvizjet e ngjashme në kabinet që ka ndërmarrë LSI muajt e fundit.

Pak javë më parë, bazuar në kërkesën e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, Kryeministri Berisha pranoi shkarkimin e ish-ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti nga ky pozicion dhe emërimin aty të vetë kryetarit të partisë të kësaj partie, Ilir Meta.

Nga ana tjetër, vendi bosh i Metës në Ministrinë e Jashtme, u zëvendësua nga përfaqësuesi i LSI-së, Edmond Haxhinasto.

Kjo lëvizje në kabinet, e cila u shoqërua me nervozitetin e ish-ministrit Prifti, u justifikua nga Meta me faktin se ai nuk mund të qëndronte më si ministër i Jashtëm, nisur nga afrimi i fushatës së ardhshme zgjedhore dhe nevojës së tij si kryetar i LSI-së, për të qenë sa më pranë partisë që drejton.

Bashkimi i Tavos me LSI-në u bë pak ditë më parë, pas skadimit të afatit që deputeti i Gjirokastrës i la kryetarit të PS-së, Edi Rama, për të marrë masa në lidhje me problemet që e shqetësonin atë në parti. “Prisja një përgjigje pozitive nga Partia Socialiste, por nuk mora asnjë të tillë. Bashkohem me LSI për të mbetur gjithë jetën socialist”, theksoi Tavo në një konferencë për shtyp, vetëm dy ditë pas skadimit të këtij afati.

Nga ana e tij, kreu i LSI, Ilir Meta theksoi se zoti Tavo është i mirëpritur në radhët e partisë që ai drejton.

Vangjel Tavo do të gjejë të gjitha hapësirat për të vijuar kontributin në politikë. Kjo është një zgjidhje e drejtë, e mirëpritur, që do të mbrojë interesat e vendit dhe të së majtës shqiptare”, ishte deklarata e Metës për anëtarësimin e Tavos në këtë parti. (tch)
Shtuar më 06/11/2010, ora 11:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori