Meta pret ministrin maqedonas, në fokus shkëmbimi ekonomik
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot Ministrin e Ekonomisë të Republikës së Maqedonisë, Bekim Neziri, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe vunë në dukje nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke evidentuar me kënaqësi edhe vizitën e fundit të Presidentit të Maqedonisë z. Ivanov në Shqipëri, vlerësoi se vizita e Ministrit të Ekonomisë z. Neziri rikonfirmon intensitetin dhe nivelin e lartë të shkëmbimeve dypalëshe.

Në këtë drejtim, z. Meta theksoi se marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Maqedonisë duhen përqendruar gjithnjë e më tepër në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare.

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, z. Bekim Neziri vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve fqinje dhe shprehu mirënjohjen për angazhimin e Kuvendit në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke vënë në dukje se marrëdhëniet ndërparlamentare janë shumë të rëndësishmë në rritjen e cilësisë së bashkëpunimit mes Tiranës dhe Shkupit.

Kryetari Meta dhe Ministri Neziri biseduan gjithashtu më konkretisht rreth prioriteteve të përbashkëta ekonomike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, të cilat lidhen ngushtë me forcimin e ndërlidhjes rajonale.

Në përfundim të takimit, kryetari i Kuvendit z. Meta shprehu mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë në intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh dhe në proceset e integrimit euro-atlantik të Maqedonisë. /albeu.com/

Shtuar më 17/04/2015, ora 15:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori