Meta pret ambasadorin e ri të OSBE-së: Reformë elektorale që garanton transparencë
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot Kreun e ri të Prezencës së OSBE në Tiranë, Ambasadorin Bernd Borchardt, të cilit i uroi mirëseardhjen në Tiranë dhe i uroi suksese në detyrën e re.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me OSBE dhe vuri në dukje se Kuvendi është i gatshëm ta intensifikojë atë më tej.

Në këtë kuadër u vlerësua kontributi i OSBE në drejtim të përmirësimit të aktivitetit parlamentar të Shqipërisë, duke mbështetur rritjen e standardeve të transparencës, monitorimit dhe përcjelljes së aktivitetit parlamentar më pranë qytetarëve shqiptarë.

Ambasadori Bernd Borchardt shprehu kënaqësinë e rikthimit në Shqipëri në krye të Prezencës së OSBE dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin me Kuvendin si dhe vullnetin për të mbështetur avancimin e reformës elektorale sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Kryetari i Kuvendit, z. Meta, nënvizoi në përfundim rëndësinë e çdo ndryshimi që prej reformës elektorale që garanton transparencë maksimale të procesit zgjedhor, pasi standardet e zgjedhjeve të ardhshme do të përcaktojnë jo vetëm legjitimitetin dhe integritetin e institucioneve të reja, por edhe dinamikën e integrimit evropian për të ardhmen. /albeu.com/
Shtuar më 05/10/2016, ora 14:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori