Meta: Po më soset durimi, nuk negociohet duke thënë "ti do shkosh në burg"
Kreu i Kuvendit njëkohësisht dhe kryetar i LSI-së përmes një deklarate për mediat ka folur në lidhje me reformën në drejtësi, duke i dhënë përgjigje ftesës së ambasadorit amerikan Donald Lu, por edhe deklaratave të shkëmbyera midis liderëve të dy partive më të mëdha të vendit, Rama dhe Basha.

Në fjalën e tij kreu i Kuvendit Meta është shprehur se nuk bëhet reforma duke sulmuar njëri-tjetrin "se ti do shkoshburg, apo unë do shkojë në burg", teksa ka ftuar të gjithë aktorët politikë dhe ndërkombëtarë t’i japin fund kësaj lodhje dhe të miratohet në Kuvend drafti për reformën në drejtësi.

"Nuk më ka pëlqyer aspak mënyra se si ka filluar historia e reformës në drejtësi dhe këto ua kam bërë të ditur të gjithë aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë. Dhe ja ku jemi reforma ka rrezik të asfiksohet nga stina e vapës që ka filluar.

Përpjekjet për të shpikur fajtorë dhe mos gjetur konsensusin duhet të marrin fund të paktën nga aktorët kryesorë të përfshirë në këtë reformën. Aktorët vendas sidomos kreu u PS, dhe kreu i PD, por edhe nga përfaqësuesit e nderuar që kanë mbështetur këtë reformë.

Kam kërkuar me kohë të bëhet një takim i nivelit të lartë, pas ardhjes së rekomandimeve nga komisioni i Venecias, pasi gjithcka ka qenë mëse e qartë, pavarësisht klimës që është zhvilluar kjo reformë, ku për fat të keq s’ka dominuar përqëndrimi mbi cështjet kryesore që do ndryshohen në Kushtetutë, kemi vënë re shkëmbime të vazhdueshme të akuzave që kush e ka vendin në burg sipas reformës së re të drejtësisë, a thua se kjo reformë bëhet thjesht për të futur disa politikanë në burg. Kjo reformë s’është pronë e politikës, por përgjegjësi e saj, t’i japë garanci shqiptarëve se Shqipëeria do jetë një vend shumë i sigurt në të ardhmen se sa është sot.

Në këtë drejtim edhe mua sikurse ambasadorit Lu po më soset durimi. Por kam një propozim të ndryshëm nga ai, s’mendoj se është koha që Basha dhe Rama të mbyllen në një dhomë dhe o të gjejnë zgjidhje kësaj cështje ose jo, duke përjashtuar propozimin e PD, nuk e di pse shqiptarët duhet të paramendojnë një “Big Brother midis dy udhëheqësve kryesorë të vendit, por meqenëse Shqipëria është Republikë Parlamentare, unë jam kreu i parlamentit, i ftoj të dy aktorët kryesorë politikë në vend Rama dhe Basha, pse jo dhe dy ambasadorët e nderuar që janë lodhur për këtë reformë, Lu e Vlahutin që ne të mbyllim këtu në Kuvendin e Shqipërisë, ku na ka sjellë sovrani, por jo duke e filluar takimin se ti do shkoshburg, se ne jemi politikanë, se nëse kërkojnë konsensues se ti do shkoshburg, ne shkatërrojmë konsensusin që duhet të ketë këtë reformë.

Nuk bëhet reformë duke thënë ‘do shkosh ti në burg’. Reforma dhe konsensusi, atë që do Uashingtoni, Brukseli dhe qytetarët shqiptarët bëhet duke thënë ‘unë do shkoj në burg’, nëse kam shkelur ligjin.

Vetëm duke folur kështu ne mund t’i japim vendit një Kushtetutë të re. Reforma nuk bëhet për zgjedhjet e radhës, por për 30 vitet që vijnë në këtë vend. Unë mbështes fuqimisht deklaratën e zonjës Nuland për të arritur konsensusin, mbështesim edhe propozimin hibrid por konsensusi është i domosdoshëm që të arrihet.

Ne duhet të kyçemi të pestë ose të dalim të pestë para shqiptarëve për ta bërë këtë reformë. Unë shoh një rrezik tepër serioz për vendin, në rast se kjo reformë nuk do të miratohet me konsensus sipas Venecias dhe standardeve europiane.

Unë shoh rrezikun serioz për dështimin e saj. Duhen 2/3 e votave dhe ne nuk i kemi. Mosmiratimi i reformës është një hap i madh mbrapa për vendin, miratimi i reformës në mënyrë të diskutueshme mund të hapë një situatë krejt të re për vendin, e cila nuk do jetë ajo e forcimit të institucioneve dhe shtetit ligjor, por ajo mund të çelë një kapitull afatgjatë të mungesës së stabilitetit politik me vend", e mbyll fjalën e tij Meta. /albeu.com/
Shtuar më 17/07/2016, ora 12:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori