Meta: Opozita t'i drejtohet Kushtetueses
Albeu.com
Pas kundërshtimeve të forta të ndërkombëtarëve, kryesisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me projektligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror ka reaguar zv.kryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm Ilir Meta.
Kreu i diplomacisë shqiptare pranoi se drafti për SHISH do të miratohet pas konsultimeve si fillim me Bashkimin Europian e më pas me strukturat e NATO-s, ka raportuar BalkanWeb.
“Për vetë faktin që ligji aktual është një ligj shumë i vjetër ndërkohë që ka ndryshime shumë të rëndësishme që nga bërja e vendit me Kushtetutë dhe në përgjithësi me sfidat me të cilat sot ndeshet Shqipëria apo NATO, ato të terrorizmit edhe më gjerë, natyrisht që ka nevojë për një rishikim dhe për një përmirësim të tij. Sigurisht që kjo gjë do të bëhet në konsultim të ngushtë me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe në radhë të parë me BE ku duam të anëtarësohemi dhe me NATO-n ku jemi anëtarë”, theksoi Meta.
Lidhur me kërkesat e opozitës për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit, Meta tha se Partia Socialiste duhet ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias, opsione këto që sipas Metës janë pranuar nga mazhoranca. Lidhur me protestat e paralajmëruara nga opozita, Meta tha se kush kërkon ndërrim të pushtetit me dhunë do të mbajë përgjegjësi.
“Unë jam në dijeni të të gjithë qëndrimeve konstruktive nga ana e mazhorancës. E gjithë kjo politikë destruktive synon të dëmtojë imazhin e vendit, nuk synon të hapë kutitë se po të ketë vullnet për të hapur kutitë mund të ndiqet rruga përmes Prokurorisë. Nëse duan që parlamenti të hapë kutitë duhet t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese që ta konfirmojnë këtë mundësi madje mund tja kërkojnë dhe Komisionit të Venecias. Nëse mendojnë se mund të marrin me dhunë pushtetin , sikurse kanë bërë thirrje, kjo është një cështje e tyre , natyrisht ata kanë të drejtën e tyre të ëndërrojnë por do të mbajnë dhe përgjegjësi. ” u shpreh Meta.
Deklaratat, ministri i Jashtëm i mbajti gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët pak kohë pas takimeve zyrtare në Washington. Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi takimin e veçantë me zv.sekretarin e shtetit Steinberg nga ku u konformuan marrëdhëniet e ngushta mes dy qeverive dhe angazhimit të përbashkët në Aleancën Euroatlantike.
Shtuar më 23/03/2010, ora 15:38
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori