Meta nga Brukseli: Demokracia po shembet para syve tan
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përshëndetur sot Kongresin e 7-të të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, të mbajtur në Tiranë. Kreu i shtetit ndët të tjera thekson se “Vendi ka nevojë për një frymë dhe një model të ri politik".

Për shkak se ndodhet në Strasburg, në kuadrin e një vizite zyrtare, Presidenti Meta u përcolli sindikalistëve pjesëmarrës në këtë Kongres, mesazhin e tij përmes Këshilltarit për Pushtetin Lokal, z. Ylli Asllani.

"Sot jemi përsëri përpara një situate, në të cilën vlerat e demokracisë po shemben para syve tanë. Kjo nuk ndodh për shkak të rrugës së zgjedhur së bashku 30 vjet më parë, por si rrjedhojë e deformimeve që ka pësuar demokracia dhe sistemi qeverisës në këto vite.

Në Shqipëri po instalohet një politikë dhe ekonomi larg interesave të qytetarëve dhe jashtë kontrollit të tyre.

Mungojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, shtypen sindikatat dhe zëri i tyre.

Kapen dhe bllokohen organizatat e shoqërisë civile. Shtypi e media janë gjerësisht nën thundrën e censurës dhe në shërbim të shtetit propagandistik.

Që të dalim nga kjo situatë duhet të pranojmë sa poshtë kemi rënë!

Në atdheun tone të dashur mjerimi ka pllakosur vendin. Investimet po shterojnë dita ditës.

Borxhi publik po paralizon ekonominë. PPP –te po vrasin të sotmen, por edhe të nesërmen e financave publike. Nuk bëhet fjalë për rregullat e punës dhe të tregut. Paga minimale nuk mund të ushqejë as në 1/3 e muajit familjet e varfra. Kontrasti shoqëror po pasuron një grup oligarkësh dhe po varfëron çdo ditë punonjësit e të gjitha shtresave.

Shoqëria shqiptare po humbet perspektivën e saj, dhe bijtë e shqiptarëve largohen prej vendit amë në kërkim të një jete më të mirë.

Në këtë situatë ne duhet të mendojmë të gjithë së bashku për një frymë dhe model të ri politik të vendit. Për një shoqëri më sociale, të drejtë e të barabartë, për një rishpërndarje më të drejtë të të mirave materiale, si dhe për iniciativa frutdhënëse në biznese e punësim.

Së pari ne duhet të kthejmë zgjedhjet e lira në këtë vend. Të mos lejojmë të flasin në emër të shtresave në nevojë ata që po pasurohen në kurriz të varfërisë së përgjithshme dhe së bashku me botën e krimit po vjelin çdo ditë të ardhurat e përbashkëta” shkruan ai.
Shtuar më 18/09/2019, ora 18:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori