Meta ne Shkup: Eshte koha e rrezimit te kufijve ne Ballkan
Albeu.com
Zgjidhja e problemeve bilaterale në Evropën Juglindore nuk qëndron në politikat irracionale për krijimin e kufijve të rinj, por në bashkëpunimin rajonal, në të cilin kufijtë nuk do të jenë të rëndësishëm.Këtë e deklaruan në Shkup, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kolegu i tij maqedonas, Antonio Miloshoski. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, ata theksuan se koha për debate për kufijtë duhet të mbetet prapa nesh.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan me deklaratën e përfaqësueset së politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, se pas vendimit të GJND-së për Kosovën, fillon një fazë e re në rajonin e Ballkanit, në raport me të ardhmen, që do me thënë fshirja e kufijve, dhe jo e ndërtimit të kufijve të rinj.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta tha se, për qytetarët e rajonit është monotone të dëgjojnë plane për ndarjen e sërishme të Ballkanit , sepse kjo është pjesë e historisë e mbushur me konflikte dhe luftëra të pa menduara.

“Natyrisht që në këtë drejtim ne mbështesim fuqimisht edhe implementimin e plotë dhe efikas së Marrëveshjes së Ohrit, si një marrëveshje që ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e stabilitetit të Maqedonisë dhe në avancimin e agjendës së saj euro-atlantike dhe evropiane”, theksoi Meta.

Zëvendëskryeministri shqiptar Ilir Meta, do të takojë edhe liderët e partive politike shqiptare, Ahmetin, Thaçin dhe Selmanin. Meta do të kërkojë që shqiptarët të japin kontributin e tyre për integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike.
“... ajo që ne kemi kërkuar dhe kërkojmë në vazhdimësi nga të gjitha forcat politike shqiptare këtu është që të japin kontributin e tyre maksimal për integrimin euro-atlantik dhe evropian të Maqedonisë, përforcimin e stabilitetit të saj dhe njëkohësisht për progresin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, përmes pjesëmarrjes në institucionet dhe avancime të këtyre të drejtave në mënyrë gjithnjë konstruktive”, deklaroi zëvendëkryeministri Ilir Meta.
Shtuar më 28/07/2010, ora 15:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori