Meta mesazh familjes: Andrea i pazëvendësueshëm si mik, i respektueshëm si kundërshtar
Kryeparlamentari Ilir Meta i është drejtuar familjes së analistit dhe gazetarit Andrea Stefani me një mesazh të ndjerë.

Në një letër për bashkëshorten, Enkelejda dhe dy fëmijët Daniel e Stefani, Meta bashkë me ngushëllimet e thella ndan vlerësimet e tij për personalitetin e Andreas dhe çfare përfaqëson ai për median dhe shoqërinë.

"E dashur Enkelejda,
Të dashur Daniel e Stefani,

Kam provuar trishtim, dëshpërim dhe një dhembje të pafund kur
mësova lajmin e hidhur e të pabesueshëm për Andrean.

E dija që kishte muaj që kishte nisur një betejë të fortë, të madhe, të rëndësishme, por isha i bindur se ajo nuk do të ishte beteja e fundit e këtij luftëtari të paepur. Isha i bindur se Andrea do të triumfonte në këtë betejë vetjake që nuk e bënte thjesht dhe vetëm për veten e tij, por e bënte edhe për ju, familjarë e të afërm të tij, e bënte edhe për ne, të njohurit e tij të shumtë, edhe për gjithë atë armatë të madhe lexuesish dhe shikuesish shqiptarë, të cilët e lexonin dhe e shikonin botën tonë të vogël, edhe nëpërmjet fjalës së tij të lirë.

Isha i bindur sepse Andrea, për aq sa e kam njohur, në të gjitha
betejat publike me fjalë që ai kishte hyrë dhe i kishte luftuar,
asnjëherë nuk nisej nga interesi i tij vetjak, por vinte përpara një interes shumë më të madh të të gjithë shoqërisë.

Ashtu siç e shihte ai vetë. Ashtu siç besonte ai vetë, si një shpirt i shqetësuar për lirinë dhe që kurrë nuk bëri kompromis për të vërtetat e tij.

Andrea është nga ata njerëz të rrallë për të cilët nuk pritet asnjëherë ikja për të kuptuar sesa e rëndësishme ka qenë prania e tyre.

Andrea ishte i pazëvendësueshëm si mik dhe i respektueshëm si
kundërshtar. Kush e ka njohur në këto dy anë të shfaqjes së tij
publike, ndoshta ka pasur fatin të njohë edhe lirinë e tij që ai e vuri pa hezitim në shërbim të publikut.

Pjesë e një grupi të vogël gazetarësh të fillim viteve 90-­të, në kohën kur Shqipëria po ndryshonte me shpejtësi, Andrea është githashtu pjesë e portretit të shqetësuar e të gjithë shoqërisë shqiptare.

Me shumë dilema, me shumë vështirësi, më rrëzime dhe ngritje, por dhe me besimin e pandryshueshëm se vetëm liria dhe ndeshja për lirinë, do të sillte të nesërmen më të mirë për të gjithë shoqërinë.

Dhe Andrea ka qenë luftëtar i lirisë dhe lirisë së fjalës që e kultivoi si pak kush. Secili nga ne i ka një borxh mirënjohjeje Andrea Stefanit!

Ikja e tij ka lënë një dhembje të madhe për familjarët e tij, për
bashkëshorten Enkelejda dhe dy fëmijët Daniel dhe Stefani dhe një
boshllëk të madh për gjithë shqiptarët, të cilët nuk qenë kurrë
indiferentë ndaj fjalës së tij, pavarësisht se e donin apo e
kundërshtonin atë.

Unë bashkoj sot me të gjithë ju, dhembjen time dhe ju shpreh gjithë trishtimin tim për humbjen e këtij njeriu të veçantë, kalorës fisnik dhe luftëtar të madh të fjalës. /albeu.com/
Shtuar më 06/12/2016, ora 09:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori