Meta: Marredhenia shqiptaro-serbe, kyc per rajonin
Albeu.com
Kryeministri Sali Berisha ka kritikuar mosprezencën e Serbisë në Samitin e Dubrovnikut, duke thënë se ky është një veprim, i cili nuk duhet të ndodhë më, pasi nuk u shërben marrëdhënieve të mira në rajon.
“Kjo absolutisht është një gjë që duhet të mos ndodhë. Sepse, edhe njëherë, dua të theksojë se ideali evropian duhet të jetë ideal udhëheqës për kombet tona dhe këto nuk pajtohen me mosdialog apo me qëndrime përjashtuese. Në këtë kontekst uroj dhe dëshiroj që këto praktika të marrin fund sa më shpejt”, tha kryeministri Berisha. Kreu i Qeverisë shqiptare e ka quajtur Samitin e Dubrovnikut si tepër të rëndësishëm, duke qenë se ishin të pranishëm kryeministrat e Francës, Polonisë, Sllovenisë, Bullgarisë dhe të tjerë.
“Të gjitha janë vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe u shprehën qartë për perspektivën e sigurt evropiane të Shqipërisë dhe të rajonit në përgjithësi, në mënyrë eksplicite kryeministri i Francës”, tha kryeministri Berisha.
Në fjalën që mbajti para të pranishmëve në këtë samit dy ditë më parë kryeministri Berisha përshëndeti dhe progresin e bërë nga Kosova dhe Maqedonia me kufijtë e tyre.
"Ne duhet të biem dakord të gjithë që të ruajmë kufijtë aktualë. Ka ende konflikte për kufijtë, por, kjo është shumë antiproduktive dhe e rrezikshme. Vendet perëndimore kanë bërë investime të jashtëzakonshme në këtë rajon dhe ruajtja e kufijve aktualë është në interesin evropian, idealeve evropiane, por edhe në interesin e vendeve tona. Jam kryeministri i Shqipërisë, një komb që jeton në tri shtete të tjera. Por, sido që të jetë, ky është një vazhdim gjeografik dhe etnik. Askush nuk është i një enklave. Por unë e them me zë të lartë, se ruajtja e kufijve aktualë është në interes të shqiptarëve. Për Shqipërinë është shumë e rëndësishme që të bëjë që idealet tona të prevalojnë. Kështu, unë mendoj që ruajtja e kufijve aktualë ka një rëndësi thelbësore”, tha kryeministri Berisha.
Kosova dhe e ardhmja e saj integruese ka qenë pjesë e fjalimit dhe të ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, në këtë samit.
"Drejtuesit e saj politikë dhe populli, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare, po luftojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe me seriozitet për të eliminuar pasojat e së kaluarës dhe për të ndërtuar një shtet për të tërë”, tha Meta. Sipas tij, njohjet e mëtejshme nga vendet anëtare të BE-së janë të rëndësishme për stabilitetin e rajonit.
“Pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve është kyç për të ardhmen e rajonit tonë. Shqipëria u kushton rëndësi të veçantë marrëdhënieve tona me Serbinë. Së fundmi, kam vizituar Beogradin, ku ramë dakord të bashkëpunojmë në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, veçanërisht në ato që na sjellin më shpejt dhe më afër BE-së. Nënshkruam një Marrëveshje për bashkëpunimin kundër krimit të organizuar, dhe të tjera janë në proces. Kemi emëruar ambasadorë në të dy kryeqytetet dhe po punojmë ngushtë në spektrin rajonal”, tha ministri i Jashtëm shqiptar. (koha)
Shtuar më 11/07/2010, ora 11:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori