Meta : LSI, paket konkrete për legalizimin e banesave
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi nje takim me banorë të Kamzës, ku ka prezantuar kandidatin për deputet në këtë qytet, nënkryetarin e LSI-së Ylli Manjani.

Në fjalën e tij z. Meta u shpreh i bindur në arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë të LSI-së në komunitetin e shkëlqyer të Kamzës më 23 qershor. “Çështjet e kësaj marrëveshjeje që i parashtroi qartë edhe Nënkryetari i LSI-së, z. Ylli Manjani do të respektohen pikë për pikë. Por unë dua t’iu siguroj në mënyrë të veçantë se me votën tuaj më 23 qershor ju, jo vetëm që do të ndëshkoni lojën politike të bërë me legalizimet nga lidershipi aktual i qeverisë për gati tetë vjet, por njëkohësisht do të shpëtoni një herë e përgjithmonë nga sorollatjet absurde nga burokracitë e panumërta.

Dhe duke votuar LSI-në ju sigurojmë se secili prej jush do të marrë certifikatën e pronësisë që meriton në mënyrë që të respektohet ligji dhe mbi të gjitha që të respektohet sakrifica që ju, që prindërit tuaj, që fëmijët tuaj kanë bërë për këto investime gjatë këtyre dy dekadave. LSI është një forcë në rritje, është një forcë e cila vendos për fatet e vendit, është një forcë që i shërben gjithmonë stabilitetit, është një forcë që i shërben gjithmonë integrimit. Është një forcë e cila bazën kryesore e ka tek rinia dhe unë dua të përshëndes të gjithë LRI-në e Kamzës për punën e shkëlqyer që kanë bërë gjatë kësaj kohe, por mbi të gjitha LSI është forcë e së ardhmes”, tha z. Meta.


Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i ftoj të gjithë të pranishmit “t’i japim fund një herë e mirë politikës që është shkëputur nga realiteti, ekonomisë së lulëzuar virtuale të Berishës dhe t’i kthejmë sytë nga problemet tuaja, nga problemet e qytetarëve shqiptarë dhe t’i ndihmojmë ata që t’i përballojnë vështirësitë të cilat janë rritur dita-ditës”.


“ E gjithë Shqipëria ka nevojë të ecë me shpejt, por Kamza ka nevojë të ecë më shpejt si askush tjetër dhe unë besoj se këtë do ta arrijmë të gjithë së bashku duke votuar LSI-në më 23 qershor”, vijoi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Sipas z. Meta LSI-ja është garancia më e mirë për ju dhe për të gjithë ata që duan stabilitet dhe ndryshim njëkohësisht. “LSI-ja është garancia më e mirë për të gjithë ata që duan që më 24 qershor të gjithë të ndihen të lehtësuar dhe të bashkuar rreth një projekti që e bashkon Shqipërinë me Evropën dhe rreth një projekti që në radhë të parë hap vende të reja pune këtu në Kamëz, ku kemi një popullsi mjaft të shtuar dhe mbi të gjitha një popullsi mjaft aktive dhe të re. Të gjitha këta kërkojnë një perspektivë të re, kërkojnë vende të reja pune dhe punë të paguar më mirë se sa deri më tani”, u shpreh Lideri i LSI-së.


Shtuar më 13/05/2013, ora 12:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori