Meta lobon per Kosoven ne Konferencen Islamike
Albeu.com
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë fjalës së mbajtur në Sesionin e 37-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Konferencës Islamike mbajtur në Dushanbe, Taxhikistan i ka kushtuar një vëmëndje të madhe çështjes së Kosovës.Kryediplomati shqiptar ka vënë në dukje progresin dhe sigurinë që ka prodhuar në rajon pavarësia e Kosovës si dhe zhvillimet e fundit në shtetin e ri. ”Gjatë kësaj periudhe kohore, Kosova ka qenë dëshmitare e zhvillimeve thelbësore drejt përparimit në të gjitha fushat. Institucionet demokratike dhe shteti i së drejtës janë drejt konsolidimit. Zgjedhjet e suksesshme vendore të 15 nëntorit 2009, të parat në shtetin e ri e të pavarur të Kosovës, treguan se demokracia dhe shoqëria multietnike janë funksionale. Një arritje e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte rritja e pjesëmarrjes së Serbëve; kjo arritje u evidencua edhe në Raportin më të fundit mbi Kosovën, nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Komunitetet e pakicave e shohin dhe e ndjejnë gjithnjë e më shumë se Kosova është shteti i tyre dhe se e ardhmja e tyre lidhet me zhvillimin dhe konsolidimin e saj. Po kështu, bërja funksionale e Misionit të EULEKSIT në gjithë territorin e Kosovës, në përputhje me Kushtetutën përbën një garanci të shtuar për të ecur më tej në këtë rrugë të suksesshme. Pavarësia e Kosovës deri tani është njohur nga 68 vende të botës”, tha Meta. Duke iu drejtuar homologëve të tij të vendeve anëtare të OKI-së, Ministri Meta vlerësoi miratimin e Rezolutës “Mbi situatën në Kosovë”, si një dëshmi të qartë të solidaritetit dhe angazhimit të sinqertë të Organizatës së Konferencës Islamike në drejtim të vlerave të lirisë dhe progresit. “Kosova është gjithashtu anëtare me të drejta të plota e FMN-së dhe e Bankës Botërore; ajo është gjithashtu pjesëmarrëse aktive në shumë forume dhe nisma rajonale. Së shpejti priten njohje të reja; po kështu, Kosovën pritet ta pranojnë në gjirin e tyre edhe institucione të tjera ekonomike dhe financiare me karakter rajonal dhe ndërkombëtar. Në terma reale, Kosova e pavarur ka krijuar një klimë të re, e cila rrezaton paqe dhe stabilitet në fushat e sigurisë, marrëdhënieve ndër - etnike dhe në fusha të tjera, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin tonë”, tha Meta. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe fqinjëve të saj është quajtur një tjetër hap i rëndësishëm. “Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe gjithë vendeve të saj fqinjë, me përjashtim të Serbisë, përbën një dëshmi të qartë se ekzistenca e saj, si shtet i pavarur dhe sovran, tashmë është njohur dhe vlerësuar vetëm si një fakt jetësor i realitetit të tanishëm në Ballkan, por edhe si domosdoshmëri për stabilitetin dhe sigurinë e tij”, tha Meta duke shtuar se “Shqipëria beson se miratimi i Projekt-Rezolutës mbi situatën në Kosovë gjatë këtij Sesioni do të jetë një sinjal i qartë dhe pozitiv si dhe një hap inkurajues përpara nga Shtetet Anëtare të OKI-së, për zhvillimet e mëtejshme në Kosovë”. Gjatë qëndrimit të tij në Taxhikistan, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës së Taxhikistanit, Emomali Rahmon. Vëmendje e veçantë në takim iu kushtua domosdoshmërisë së avancimit të procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës, e cila gjeti mirëkuptimin e Presidentit të Taxhikistanit.
Shtuar më 18/05/2010, ora 21:35
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori