Meta kthen në Kuvend ligjin për jahtet, arsyeja
Presidenti i vendit Ilir Meta ka vendosur të kthejë në Kuvend ligjin nr. 64/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për rishqyrtim.

Sipas Metës, ky ligj nuk i përgjigjet situatës ekonomike të vendit dhe krijon trajtim preferencial në kundërshtim me parimet e mbrojtura nga neni 18 i Kushtetutës.

“Kam vendosur kthimin e këtij ligji për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë, i cili duhet të vlerësojë thellësisht që nisma të tilla për aplikimin e lehtësimeve fiskale jo vetëm të ndërmerren pas studimeve dhe analizave të thelluara financiare, por edhe të rriten përpjekjet për të përqendruar aplikimin e lehtësimeve në kategoritë e mallrave dhe shërbimeve që kanë më shumë nevojë për politika fiskale mbështetëse.

Vetëm kështu mund të garantohet mbrojtja më e mirë e interesit publik, që siç ka theksuar edhe Gjykata Kushtetuese, është i lidhur drejtpërdrejt edhe me mirëfunksionimin e buxhetit të shtetit.

Qëndrueshmëria e buxhetit të shtetit është e rëndësishme të garantohet në çdo kohë, por ajo merr një rëndësi të veçantë gjatë periudhave të vështira që diktohen nga kriza ekonomike, prej së cilës nuk mund të përjashtohet sistemi ekonomiko-financiar shqiptar, pas goditjes së pandemisë Covid-19.” shprehet Meta.

Shtuar më 08/06/2020, ora 15:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori