Meta- Kohno: Intensifikim të shkëmbimeve ekonomike
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta vlerësoi sot marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Japonisë duke i cilësuar ato si shumë të mira. Gjatë një takimi me ambasadorin e Japonisë z. Masaharu Kohno, Meta shprehu vullnetin për të intensifikuar marrëdhëniet ndër-parlamentare dhe për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik në fusha prioritare si infrastruktura, bujqësia, turizmi dhe energjia.

Në këtë kuadër, z. Meta bëri një vlerësim të veçantë për mbështetjen e Japonisë gjatë viteve të fundit, përmes aktivitetit të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (JICA), duke theksuar se Japonia përfaqëson një vend me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe se investitorët japonezë janë të mirëpritur në Shqipëri.

Ndërsa ambadori Masaharu Kohno shprehu mirënjohjen e tij për punën e bërë në drejtim të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehu vullnetin për të zgjeruar bashkëpunimin ndër-parlamentar përmes shkëmbimit të vizitave të grupeve reciproke të miqësisë dhe në nivel Kryetarësh.


Kryetari i Kuvendit Meta dhe Ambasadori i Japonisë Masaharu ndanë bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet konkretizuar më tej në kuadër të intensifikimit të shkëmbimeve ekonomike, inkurajimit të investimeve japoneze në Shqipëri, si dhe në drejtim të mbështetjes reciproke në organizatat ndërkombëtare.

Shtuar më 29/01/2014, ora 16:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori