Meta: Integrimi euro-atlantik i Kosovës të jetë prioritet rajonal
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, priti sot Zv.Kryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin biseduan mbi thellimin e bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Meta dhe Thaçi ndanë bindjen se mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive, do t’i shërbejnë rritjes së cilësisë së bashkëpunimit dypalësh, si dhe perspektivës evropiane të të dy vendeve, duke vënë në dukje se në këtë drejtim, do të intensifikohet edhe bashkëpunimi mes komisioneve reciproke parlamentare dhe administrative të të dy parlamenteve.

Meta theksoi se konsolidimi i demokracisë dhe integrimi euro-atlantik i Kosovës, duhet të jetë prioritet rajonal, duke i shërbyer kështu mbarëvajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit të gjithë rajonit tonë.

Në këtë drejtim, Meta nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë mbështet çdo iniciativë që i shërben thellimit të bashkëpunimit mes gjithë fqinjëve tanë, duke ndarë bindjen e përbashkët me z. Thaçi se vizioni i përbashkët i Shqipërisë dhe i Kosovës është integrimi i plotë në Bashkimin Evropian, i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pas takimit, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Zv. Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës z. Hashim Thaçi dhanë një prononcim për shtyp:

“Ishte kënaqësi e veçantë për të pritur sot në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës gjatë 7 viteve të fundit, të cilit njëkohësisht dëshiroj t’a uroj për vlerësimin që i dha Universiteti i Tiranës përmes titullit “Doctor Honoris Causa”, si vlerësim dhe mirënjohje jo vetëm e senatit të Universitetit të Tiranës, por edhe e të gjithë qytetarëve shqiptarë, për rolin dhe kontributin e tij mjaft të çmuar dhe historik, jo vetëm për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, por edhe për ndërtimin e shtetit të pavarur të Kosovës, për afirmimin e saj ndërkombëtar dhe për procesin e integrimit të saj Evropian.

Njëkohësisht është një vlerësim edhe për kontributin e z. Thaçi për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, duke qenë i bindur se ai do të vazhdojë të kontribuojë si më parë, duke marrë në konsideratë jo vetëm eksperiencën, por edhe detyrën aktuale si Zv.Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Dëshiroj të shpreh gjithashtu vlerësimin tonë për koalicionin e ri qeverisës në Kosovë, duke patur në konsideratë rolin e rëndësishëm të z. Thaçi edhe si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Urojmë që ky koalicion i dy forcave kryesore politike në Kosovë, por edhe më gjerë, të japë të gjithë mbështetjen e duhur në funksion të ritmit të reformave që e afrojnë Kosovën më Bashkimin Evropian, duke qenë njëkohësisht i bindur se ky koalicion dhe kjo qeveri, do të çojë më tej edhe projektet konkrete të forcimit të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës, duke vlerësuar këtu edhe takimin mes dy qeverive në fillim të pranverës së këtij viti.

Dua t’a uroj z. Thaçi për mbarësi, meqenëse fillon ky vit me vizitën e parë në Shqipëri në detyrën e tij të re dhe njëkohësisht suksese për mirëqeverisjen e Kosovës, për shtimin e njohjeve ndërkombëtare dhe për avancimin drejt integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave", deklaroi Meta.

Fjalën e mori edhe Hashim Thaçi i cili tha se: "Edhe për mua çdo takim me Kryetarin z. Meta, mikun tim, është një moment i veçantë, sepse bashkëpunimi ynë ka filluar qysh herët, në kohën e luftës së Kosovës dhe gjithmonë shprehim mirënjohjen më të lartë për kontributin e tij personal dhe të qeverisë të asaj kohe.

Në të njëjtën kohë ne vazhduam gjatë këtyre viteve duke punuar bashkërisht përmes bashkëpunimit të ngushtë të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, pavarësisht përgjegjësive institucionale dhe politike që kemi patur.

Dhe sot për mua është një kënaqësi që të takohem përsëri me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Meta, me të cilin diskutuam për bashkëpunimin mes institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Është një bashkëpunim i shkëlqyer. Natyrisht që duhet të punohet edhe më tepër, në veçanti në implementimin e axhendave të përbashkëta dhe në të njëjtën kohë shpresoj që edhe takimi tjetër i radhës i dy qeverive tona që do të mbahet në fund të marsit, apo në pjesën e dytë të marsit, ku ka mbetur që të përcaktohet data në të ardhmen e afërt, të jetë një takim rezultativ, një takim ku do të bëhen vlerësimet e arritura të takimit të qeverive tona në Prizren dhe marrjes së obligimeve të tjera për të ardhmen.

E informova Kryetarin z. Meta për axhendën që ne po punojmë si institucione të Kosovës, në veçanti në kuadër të procesit të njohjeve të reja të Kosovës, mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në shumë organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe mbi punën që po bëjmë për procesin e liberalizimit të vizave dhe nënshkrimit të marrëveshjes së MSA-së.

Eshtë jashtëzakonisht inkurajuese gatishmëria e Kryetarit z. Meta dhe në të njëjtën kohë e Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, z. Veseli, për bashkëpunimin mes dy parlamenteve tona, komisioneve të ndryshme parlamentare, në mënyrë që të jemi edhe më efikasë në punët tona. Dëshiroj t’i shpreh vlerësimin më të lartë dhe mirënjohjen më të lartë të nderuarit z. Meta për angazhimin dhe mbështetjen e tij. Ju faleminderit!". /albeu.com/

Shtuar më 12/01/2015, ora 15:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori