Në kuadër të Asamblesë
Parlamentare të Mesdheut që po zhvillohet këtë javë në Tiranë,
kryetari i
Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta priti kryetarin e Asamblesë
Popullore Kombëtare të Republikës Demokratike
Popullore të Algjerisë, Mohamed Larbi Ould Khelifa.
Meta e falenderoi z. Ould Khelifa për pjesëmarrjen në Asamblenë
Parlamentare të Mesdheut dhe shprehu vullnetin e
Kuvendit të Shqipërisë, për të thelluar marrëdhëniet me Algjerinë, jo vetëm në planin mesdhetar, por edhe në drejtim të shkëmbimeve dypalëshe.
Kryetari i
Kuvendit theksoi se Shqipëria dhe Algjeria duhet të intensifikojnë shkëmbimet dypalëshe, si në planin politik, ashtu edhe në planin ekonomik e tregtar, duke vënë në dukje marrëdhëniet shumë miqësore mes dy popujve.
Në këtë drejtim, u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe avancimi me plotësimin e kuadrit ligjor, veçanërisht në drejtim të mbrojtjes dhe nxitjes së investimeve.
Kryetari i Asamblesë
Popullore Kombëtare të Republikës Demokratike
Popullore të Algjerisë, Mohamed Larbi Ould Khelifa shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes në punimet jubilare të Asamblesë
Parlamentare të Mesdheut, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj asambleje si një platformë dialogu dhe bashkëpunimi për adresimin e sfidave me të cilat përballen vendet mesdhetare, veçanërisht në drejtim të sigurisë dhe forcimit të stabilitetit.
Në përfundim, dy kryeparlamentarët ranë dakord për krijimin e grupeve respektive
parlamentare të miqësisë dhe për nxitjen e qeverive respektive në intensifikimin e përpjekjeve të tyre në interes të shtimit të kontakteve dhe marrëdhënieve dypalëshe. /albeu.com/
Shtuar më 19/02/2016,
ora 16:20