E FUNDIT/ Sherr me armë në Bulqizë, 1 i plagosur
Meta: Falenderoj Naçon që i hapi rrugë ndryshimeve
Kreu i Kuvendit ka folur me vlerësime mbi këtë progres-raport, si dhe premton ecjen sa më shpejt drejt përmbylljes së dekriminalizimit dhe reformës në drejtësi. “E mirëpresim në përgjithësi këtë progres-raport të Komisionit Europian, sidomos për vlerësimin kyç për progresin e qëndrueshëm që është bërë në drejtim të avancimit të 5 prioriteteve kyçe.

Njëkohësisht duhet të shpreh kënaqësinë për vlerësimet pozitive që bëhen në drejtim të punës së Parlamentit përsa i takon funksionimit të tij dhe transparencës në procesin ligjvënës, si dhe rolit të Parlamentit për monitorimin e institucioneve të pavarura dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile.

Do të kemi në konsideratë të gjitha sugjerimet që jepen për të rritur kapacitetet e Kuvendit të Shqipërisë dhe për një ekspertizë edhe më të kualifikuar të shërbimeve të Kuvendit për të ndihmuar në procesin ligjbërës. Natyrisht që mbetet e rëndësishme për të ardhmen dhe për çeljen e negociatave, të ecim sa më shpejt për të mbyllur procesin e dekriminalizimit dhe reformën në drejtësi, e cila do të jetë shumë e rëndësishme jo vetëm për të forcuar sundimin e ligjit në vend, jo vetëm për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, por edhe për të përmirësuar klimën ndaj biznesit dhe për të nxitur investimet e huaja në vendin tonë”.

Sa i përket kohës së nevojshme për të përmbyllur reformën në drejtësi, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka thënë se nuk do të vonohen shumë pas ardhjes së opinionit të Komisionit të Venecias, për të ecur drejt vendosjes së shtyllave kryesore të kësaj reforme në Parlament.

I pyetur për dorëheqjen e ish-ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, nëse përbën një hallkë të parë për një valë ndryshimesh në qeveri, Meta është shprehur se e falenderon edhe njëherë z. Naço që i hapi rrugë këtij ndryshimi, i cili do t’u shërbejë impulseve të reja jo vetëm sa i takon reformës në drejtësi, rritjes së transparencës dhe rolit të Ministrisë së Drejtësisë në qeverisjen e vendit, por edhe luftës kundër korrupsionit dhe në këtë plan ai e ka vlerësuar si një lëvizje mjaft pozitive. /albeu.com/



Shtuar më 10/11/2015, ora 17:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori