Meta: Evropën ta ndërtojmë këtu që të bëhemi pjesë e denjë e BE
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë në hapjen e Kampingut e LRI-së në Jalë ose siç quhet ndryshe Akademia Politike Verore e LRI-së, ku marrin pjesë rreth 1500 të rinj nga e gjithë Shqipëria dhe që zhvillohet për të nëntin vit radhazi.

Të pranishëm në aktivitetin e hapjes ishin Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, deputetë të LSI-së, deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, Ambasadori i Sllovakisë në Shqipëri, Milan Ciganik, deputeti i Partisë Social-Demokrate të Suedisë, Adnan Dibrani, deputetët e Partisë Socialiste të Portugalisë, Joao Torres e Ivan Gonçalves, delegacione me politikanë të rinj të së majtës nga Danimarka, Gjermania, Italia, Portugalia dhe rajoni i Ballkanit, etj.

Në fjalimin e mbajtur në ceremoninë hapëse, Kryetari i LSI-së u shpreh se Evropa ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e njerëzimit dhe se ne gjithmonë do t’i shërbejmë një Evrope, e cila mbron vlerat dhe parimet e saj.

Por sipas z. Meta, në radhë të parë ne duhet të kujdesemi që këto vlera e këto parime t’i mbrojmë në shoqërinë tonë të solidaritetit në mënyrë të veçantë.

“Evropa ka pasur dhe ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e njerëzimit dhe ne padyshim që gjithmonë do t’i shërbejmë një Evrope, e cila mbron vlerat dhe parimet e saj. Por në radhë të parë duhet të kujdesemi që këto vlera e këto parime t’i mbrojmë në shoqërinë tonë të solidaritetit në mënyrë të veçantë, sepse egoizmi dhe individualizmi janë një kërcënim për zhvillimin e drejtë e të qëndrueshëm të shoqërisë sonë, por edhe të shoqërive të tjera përreth nesh.

Ndaj theksojmë gjithmonë frymën e kolektivitetit, frymën e solidaritetit, sepse absolutisht që pa solidaritet nuk mund të ketë një të ardhme të sigurt, tha z. Meta.

Kështu që shpirti i ekipit është vendimtar për një skuadër, për një politikë, edhe për një vend. Unë ju përgëzoj që ju po e zgjeroni këtë frymë ekipi dhe solidariteti që keni me njëri-tjetrin dhe unë shpresoj dhe dëshiroj që ky të kthehet në një fenomen mbarëkombëtar, sepse jemi një vend i vogël për të qenë kaq të përçarë, për ta përjashtuar njëri-tjetrin me kaq dëshirë.

Kemi nevojë që të jemi më të bashkuar, kështu do të jemi më të fuqishëm, do të jemi më të respektuar dhe në fund fare duhet të kuptojmë që reformat i bëjmë për veten tonë. Duhet të kuptojmë që Evropën duhet ta ndërtojmë këtu në mënyrë që të bëhemi një pjesë e denjë e Bashkimit Evropian”, u shpreh ai. /albeu.com/
Shtuar më 23/08/2016, ora 16:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori