Meta: Era e fitores po fryn nga Kukësi në Sarandë
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i LSI-së në Njësinë Bashkiake nr. 2 në Tiranës Elez Gjoza, ka zhvilluar një takim me banorë të kësaj njësie në kryeqytet. Në fjalën e tij z. Meta u shpreh se fitorja, jo vetëm në Njësinë 2 dhe në të gjithë kryeqytetin por edhe në të gjithë Shqipërinë, është e padiskutueshme.

“Dhe këtë herë fitorja është e padiskutueshme për LSI-në edhe në qytetin dhe në Qarkun e Kukësit, meqenëse këtu kemi edhe disa banorë, të cilët janë me origjinë nga Kukësi dhe që e dinë shumë mirë që LSI-ja do ta fitojë deputetin edhe në Kukës, ku janë vetëm katër mandate”, tha ai.

Z. Meta tha se Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë e hapur, është një forcë e komunitetit, është një forcë e njerëzve të thjeshtë, është një forcë e njerëzve që kanë ide, që kanë projekte për të çuar vendin përpara dhe njëkohësisht mbi të gjitha për të ecur më shpejt”. Kjo është më e rëndësishme.

Ne kemi një LSI tepër aktive dhe të fuqishme në Njësinë nr. 2, e cila e tregoi veten edhe në zgjedhjet vendore, kur ne fituam edhe kryetarin e Minibashkisë, që është shoku jonë Elez Gjoza por edhe shumë këshilltarë. Era e fitores fryn në të gjithë Shqipërinë, nga Kukësi në Sarandë por fitoren më të rëndësishëm, më të çmuar dhe më të madhe për LSI-në do ta arrijmë në kryeqytet dhe në të gjithë qarkun e Tiranës”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Sipas tij LSI ka në listën e saj të Qarkut të Tiranës, 4 ndër 7 kandidatët e parë i takojnë Lëvizjes Rinore.
Meta, tha gjithashtu se qytetarët e Tiranës do të votojnë LSI-në më 23 qershor pasi është një forcë politike e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në integrimin e vendit.

“Qytetarët e Tiranës do të votojnë për ne se ata çmojnë LSI-në si një forcë qytetare, si një forcë që është për bashkëpunim, për zhvillim dhe për integrimin e vendit. Edhe në kulmin e fushatës elektorale, edhe në kulmin e luftës politike ne arritëm, me mençuri, me urtësi dhe me këmbëngulje që të mblidhnim Parlamentin dhe të gjithë të votonin tre ligjet që do t’i japin Shqipërisë në dhjetor statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Kjo është shumë e rëndësishme për të zhbllokuar shumë projekte dhe shumë ndihma financiare që do të ndihmojnë ekonominë e vendit dhe që do të ndihmojnë për hapjen e shumë vendeve të reja të punës”, deklaroi Meta. /albeu.com/
Shtuar më 16/06/2013, ora 16:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori