Meta-Engel: Reforma në drejtësi, kyç për integrimin
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot në Kryesinë e Kuvendit Kongresmenin Amerikan z. Eliot Engel, i cili shoqërohej prej Ambasadorit të SHBA në Shqipëri z. Donald Lu dhe aktivistit të njohur të diasporës shqiptare në SHBA, z. Harry Bajraktari.

Kryetari i Kuvendit Meta e falenderoi Kongresmenin Engel për mbështetjen e tij të jashtëzakonshme në vite, si dhe të Kongresit Amerikan ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar, duke vënë në dukje edhe rolin e tij të veçantë në mbështetje të njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Duke biseduar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, Kongresmeni Engel vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe në veçanti miratimin e paketës kushtetuese për reformën në drejtësi.

Në këtë kontekst, Kongresmeni Engel vlerësoi rolin e rëndësishëm të Kryetarit të Kuvendit z. Meta për miratimin me konsensus të paketës kushtetuese gjatë muajit korrik.

Z. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë të SHBA në forcimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë dhe në veçanti për reformën në drejtësi, e cila është kyçe jo vetëm për avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian, por edhe për luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe për rritjen e besueshmërisë së investitorëve të huaj si dhe për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit Meta dhe Kongresmeni Engel biseduan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke evidentuar rolin konstruktiv të Shqipërisë, dhe në përfundim të takimit ndanë bindjen e përbashkët se miqësia e fortë dhe e natyrshme shqiptaro-amerikane është një bazë solide për zhvillimin dhe konkretizimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve në të ardhmen. /albeu.com/
Shtuar më 02/09/2016, ora 15:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori