Pse rikthimi i Britanisë në Bashkimin Evropian është vetëm çështje kohe

Nga Gideon Rachman “Financial Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në kulmin e debatit mbi Brexit në Britaninë e Madhe, tensioni u rrit në një moment aq shumë, sa që disa folën për një “luftë të re civile angleze”. Ky krahasim më intrigon ende sot për një arsye specifike: pala që dikur fitoi luftën civile në fund humbi. Mbreti Charles I u ekzekutua në vitin 1649.

Por 11 vjet më vonë, anglezët e kuptuan se kishin bërë një gabim dhe e rivendosën monarkinë. A mund të ndodhë një ndryshim i ngjashëm me Brexit? Unë mendoj se po. Shtatë vjet pas referendumit të vitit 2016, dhe tre vite pasi u zyrtarizua Brexit, opinioni publik ka ndryshuar dukshëm.

Siç shkroi kohët e fundit akademiku Matthew Goodwin, rreth 60 për qind e britanikëve mendojnë tani se Brexit ishte një vendim i gabuar, dhe se në një referendum të dytë do të votonin për t’u ribashkuar me Bashkimin Evropian. Një mesatare e sondazheve të fundit tregon se 58 për qind e votuesve jo vetëm që janë penduar për Brexit, por favorizojnë në mënyrë aktive ribashkimin me BE-në.

Dhe arsyeja është e lehtë që të kuptohet. Brexit iu shit publikut si një mënyrë për të kontrolluar imigracionin dhe për të përmirësuar sistemin shëndetësor kombëtar NHS. Por NHS-ja është sot në gjendje shumë më të keqe se sa ishte në vitin 2016. Emigracioni në Britani mbetet në nivele shumë të larta, teksa emigrantët nga BE janë zëvendësuar kryesisht nga njerëz jashtë bllokut. Dhe FMN-ja po parashikon se këtë vit Britania do të ketë ekonominë me ecurinë më të keqe në botën e zhvilluar.

Demografia dhe ekonomia sugjerojnë se ndjenja e ribashkimit do të forcohet me kalimin e kohës. Votuesit e rinj janë votuesit më pro BE-së, me 79 për qind të 18-24-vjeçarëve që dëshirojnë të ribashkohen me unionin. Mjerisht, dëmi i shkaktuar në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar nga Brexit ka të ngjarë të bëhet gjithnjë e më i dukshëm.

Deri më tani këto ndryshime nuk janë filtruar në politikë. Daniel Hannan, një aktivist i shquar pro Brexit, pohoi kohët e fundit se ka pasur një “komplot për të përmbysur Brexit”. Sikur të ishte kështu! Në realitet, afro 2 vjet para zgjedhjeve, Partia Laburiste në opozitë thotë se nuk është në diskutim ndryshimi i Brexit.

Ajo flet vetëm për “rregullime” të marrëveshjes aktuale. Edhe mbështetësit e qëndrimit në BE ankohen shpesh se do të duhet të kalojë një brez përpara se Britania të shqyrtojë mundësinë e ribashkimit me BE-në. Por kjo pikëpamje është shumë fataliste dhe shumë pranuese ndaj dëmit në rritje që po na shkakton Brexit.

Po ashtu, ajo e shpërfill shpejtësinë me të cilën po lëvizin ngjarjet dhe opinionet. E vërteta është se “rregullimet” periferike të Brexit-it që përmendin laburistët mund të mos jenë të mundshme dhe ato nuk do të kompensonin përjashtimin nga tregu i brendshëm i BE-së. Publiku duket se e ka kuptuar këtë. Përfundimisht politikanët do të duhet të reagojnë, dhe ideja e ribashkimit në BE do të bëhet e zakonshme. Një shumicë e madhe e laburistëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do ta bënte më të lehtë këtë ndryshim.

Çdo fushatë për t’u ribashkuar me Bashkimin Evropian, do të përballej me dy pengesa të tjera të mëdha. E para dhe më e rëndësishmja është pretendimi se BE-ja nuk do ta dëshironte kthimin e Britanisë në union. Dhe i dyti është argumenti se britanikët do të shprehen në shumicë kundër ribashkimit, kur ta kuptojnë se çfarë përfshin ai.

Kundërshtimi i evropianëve kontinentalë ndaj rikthimi të britanikëve në gjirin e tyre sigurisht që ekziston, por mund të mbivlerësohet. Michel Barnier, zyrtari që drejtoi ekipin negociator të BE-së për Brexit, thotë se dera për ribashkimin e Britanisë me BE-në “është e hapur në çdo kohë. Guy Verhofstadt, i cili ishte kreu i komitetit të Brexit të Parlamentit Evropian, shkroi në Twitter javën e kaluar: “Unë kam një ëndërr. Ukraina dhe Britania do t’i bashkohen BE-së brenda 5 viteve të ardhshme. Kur i telefonova Philippe Lamberts, bashkëkryetarit të grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, dhe e pyeta për ribashkimin e Britanisë, ai u përgjigj: Ky do të ishte skenari im i ëndrrave”.

Lamberts mendon se 5 grupimet kryesore politike në parlament do të favorizonin ri-futjen e Britanisë në union. Disa vende anëtare të BE-së, sidomos Franca, do të kishin ndoshta një pikëpamje ndryshe. Francezët thonë se britanikët ishin problematikë brenda BE-së dhe se që nga Brexit blloku po funksionon më mirë.

Por kundërshtimi i Francës ndaj anëtarësimit të Britanisë u tejkalua gjatë viteve 1970, dhe kjo mund të ndodhë sërish. Megjithatë, shumica e zyrtarëve në Bruksel paralajmërojnë se këtë herë, Britanisë nuk do t’i ofrohet ndonjë marrëveshje speciale. Nuk do të kishte ndonjë zbritje nga kuota që duhet të derdhë për buxhetin e përbashkët dhe asnjë tërheqje nga kapitulli i çështjeve sociale.

Pra Britania do të detyrohet të pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve dhe me shumë gjasa edhe monedhën e përbashkët euron. Disa ekspertë mendojnë se sapo të kuptohen këto realitete, britanikët do ta humbnin entuziazmin e tyre fillestar për t’iu ribashkuar BE-së. Por nuk është e thënë që të jetë domosdoshmërisht kështu.

Ideja që largimi nga BE-ja do të reduktojë në mënyrë dramatike imigracionin është hedhur poshtë. Përqafimi i standardeve sociale evropiane mund ta tmerrojë të djathtën konservatore, por ndoshta do të ishte popullor në mesin e shumicës së elektoratit. Edhe euro mund të mos jetë një prishëse përfundimtare e një marrëveshje të mundshme për ribashkim.

Unë e kundërshtova anëtarësimin e Britanisë në monedhën e përbashkët 20 vjet më parë, sepse ai ishte një eksperiment i paprovuar. Por tashmë euro është një monedhë ndërkombëtare e konsoliduar, ndërsa paundi duket vazhdimisht i dobët. Votuesit e rinj që janë në favor të ribashkimit shqetësohen më shumë për çështje të tilla si mjedisi sesa mbi konceptet abstrakte të sovranitetit.

Por si mund të ndodhë ribashkimi? Unë do të isha në favor të një procesi me dy referendume. Votimi i parë mund të mbahet në vitin 2026, një dekadë pas votimit të vitit 2016 për largimin nga unioni. Ai do t’i jepte lejen qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të hapur negociatat me BE-në.

Një rezultat i qartë pro – le të themi, 60 për qind – mund të zbusë njëfarë skepticizmi të BE-së nëse Britania është shumë e përçarë në lidhje më këtë çështje.

Një referendum i dytë do të mbahej mbi kushtet e marrëveshjes së ribashkimit. Britanisë iu deshën 11 vjet që ta rivendoste monarkinë. E pse të mos përpiqemi që ta mposhtim me një vit atë rekord dhe të rrëzojmë Brexit brenda një dekade? /albeu.com


Shtuar 9.02.2023 20:47