Mësuesja ra nga ballkoni dhe ndërroi jetë, kolegët në lot për lajmin tragjik
Mësuesja Roza Deliu, që jeptë mësim në shkollën “Mark Dashi” në Fier është ndarë nga jeta në mënyrën më të dhimbshme. Ajo ra nga ballkoni i shtëpisë së saj në katin e dytë dhe gjeti vdekjen, teksa ishte duke larë xhamat.

Kolegët e saj kanë shprehur dhimbjen për çfarë ndodhi. Në mesazhet e tyre shkruhet: “Sot me zemrën që na dridhet dhe mendjen që nuk e beson e nuk e rrok dot lajmin që s’do të donim t’a merrnim kurrë, ju bëjmë me dije se kolegia jonë e shtrenjtë, mikja jonë e çmuar, gruaja e vlerë dhe mësuesja e palodhur, Roza Deliu, u largua nga jeta duke na lënë një zbrazëti të madhe”.

Lajmi për vdekjen e koleges është shpërndarë me shpejtësi dhe dhjetëra kolegë kanë shkuar në shtëpinë e saj për të ndarë dhimbjen me familjarët. "Nuk është e lehtë për ne, stafin e shkollës të ndajmë me ju këtë lajm të zi e të rëndë, sepse Roza për ne ish dhe është e shtrenjtë dhe e pazëvendësueshme" – thotë një tjetër kolege, e cila ka shkuar në shtëpinë e saj, sapo ka marrë vesh lajmin.

"Ngushëllimet tona më të ndjera familjes së saj të mrekullueshme dhe gjithë të afërmve të tjerë. Lamtumirë, gruaja me sytë e bukur, të qeshur e të gjallë, mësuesja që kurrë s’u lodh e dha më të mirën, kolegia e dashur e gjithnjë fjalëëmbël! Lamtumirë, e bukura dhe e mira Roza që qysh tani na mungon e të ardhtë e lehtë lëndina!", është një mesazh i ndjerë i kolegëve të saj të shkollës "Mark Dashi".

Ndërkohë, Policia po vijon hetimet për ngjarjen dhe janë marrë dëshmitë e familjarëve, për të zbardhur plotësisht gjithçka që ndodhi paraditen e kësaj të shtune.
Shtuar më 28/09/2019, ora 22:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori