Protesta e Berishës, vrasje, plagosje e vetëvrasje, këto janë ngjarjet më të rëndësishme të javës

Kjo javë është shoqëruar me zhvillime të shumta, duke nisur nga politika, te vrasjet e vetëvrasjet e deri te ulje-ngritjet e përditshme të çmimeve të karburanteve në vend.

Albeu.com më poshtë do t’ju sjellë disa nga ngjarjet më të rëndësishme të kësaj jave.

Protesta e Berishës

Të enjten më 7 korrik 2022, ish-kryeministri Sali Berisha mblodhi në sheshin “Dëshmorët e Kombit” një numër të madh mbështetësish në një protestë për të rrëzuar qeverinë Rama. Protesta ishte paqësore, ku mbajtën fjalim persona të ndryshme që përfaqësonin grupe të ndryshme të shoqërisë. Në protestë ishte e pranishme dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila gjatë fjalës përmendi evazionin fiskal me inceneratorët. Nga ana tjetër, Berisha mbajti fjalën i fundit dhe e shpalli armik, kryeministrin Rama. Ish-kryeministri tha se e shpalli armik pasi Rama, sipas tij, ka për ideal pushtetin, ndërsa Berisha ka lirinë. Ditën e protestës Rama nuk ishte në zyrë. Ai ndodhej në Vlorë, ku bashkë me ministren e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, inauguruan By-passin e Vlorës.

Vdekja e 22-vjeçari në Sarandë pas stuhisë

Të hënën një stuhi e fuqishme përfshiu Sarandën në pak minuta duke shkaktuar një kaos të vërtet në qytetin bregdetar. Por më tragjike ishte vdekja e 22-vjeçarit Armando Kamza, të cilit i ranë sipër hekurat e tendës së kalçetos. I riu, nip i deputetit demokrat, Luçiano Boçi, po luante futboll në momentin e ngjarjes dhe mësohet e më të ka qenë dhe babai i tij. Pas ekspertizës, ngjarja u cilësua fatkeqësi.

Vetëvrasjet

Në vendin tonë, raportimet për vetëvrasje janë bërë të përditshme. Mes atyre që i dhanë fund jetës është edhe gazetari Kastriot Myftaraj, i cili tre ditë më parë u vetëhodh nga pallati. Shkak dyshohet të ketë qenë gjendja e rënduar psikologjike, pasi së fundmi ishte diagnostikuar me tumor.

Gjithashtu, dy ditë më parë, një polic i dha fund jetës duke u vetëvrarë në banesë me armën e shërbimit. Për këtë rast, dyshohet se shkak kanë qenë problemet familjare që ka pasur efektivi,  Eduart Beqiri, 54 vjeç.

Djali vret babain në Divjakë

Një ngjarje e rëndë tronditi Divjakën të mërkurën. 58-vjeçari Andrrea Stasa dhunoi dhe më pas mbyti babain e tij, të moshuarin 85-vjeçar Dhimitër Stasi. Dyshohet se Andrrea Stasa ka qenë në gjendje të dehur kur ka kryer vrasjen. Gjykata mori sot vendim për të, duke i caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa mësohet se autori nuk ka shfaqur asnjë lloj pendese.

Djali plagos me thikë nënë në Fier

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Patos, ku djali 30-vjeçari Klaudio Çobaj ka plagosur me thikë nënë e tij në orët e para të mëngjesit të së enjtes. E plagosura u dërgua me urgjencë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.  Një dëshmitar okular i ngjarjes, fqinj me familjen tha se ka parë Klaudion duke goditur nënë e tij edhe pse kjo e fundit u hodh nga kati i dytë. Gjykata i ka caktuar masën  e sigurisë “arrest me burg”

Ulje-ngritje e çmimit të naftës

Bordi i Transparencës ka ndryshuar katër herë çmimin e naftës gjatë kësaj jave. Sipas vendimit më të fundit, të premten, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të  jetë jo më shumë se 240 lekë/litri, duke e rritur me pesë lekë për litër nga vendimi i ndjeshëm, ku çmimi ishte ulur në 235 lekë për litër. Në datën 6 korrik, nafta tregtohej me 243 lekë për litër. Ndërsa të hënën, Bordi e rriti çmimin me 9 lekë për litër, duke e çuar në 252 lekë/litër./albeu.com