Zgjedhjet në SHBA, Këshilltarët e Trump: Ai do garojë si një flutur e tërhequr nga drita

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump po shqyrton një ofertë të tretë për Shtëpinë e Bardhë dhe po flet me të besuarit për të përpunuar skenarët e mundshëm, ndërsa ai kërkon të përfitojë nga fitoret e pritshme të republikanëve në zgjedhjet afatmesme të javës së ardhshme, siç thanë sot tre nga këshilltarët e tij.

“Si një flutur e tërhequr nga drita, Trump do të kandidojë në vitin 2024. Unë mendoj se ai dëshiron të zbresë në votime dhe shpallja e tij përpara Ditës së Falënderimeve do t’i japë atij një avantazh ndaj kundërshtarëve të tij (politikë) dhe ai e kupton këtë,” tha një nga ata këshilltarë, i cili foli për Reuters në kushte anonimiteti.

Një njoftim brenda disa javëve të ardhshme do t’u presë krahët rivalëve të mundshëm për emërimin e partisë, thanë këshilltarët. Megjithatë, ata nuk përjashtuan mundësinë që ish-presidenti të vonojë njoftimin apo edhe të ndryshojë mendje. Një zëdhënës i Trump nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi ato deklarata. Një burim me njohuri për planet e Trump tha se ai planifikon të njoftojë se do të nisë një fushatë rizgjedhjeje pas zgjedhjeve të së martës dhe po kontakton zyrtarët që mund t’i bashkohen përpjekjeve.

Sondazhet si dhe vëzhguesit asnjanës vlerësojnë se ka shumë gjasa që republikanët të fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërkohë që kanë mundësi të vënë nën kontrollin e tyre edhe Senatin. Në atë rast ata mund të bllokojnë axhendën legjislative të Presidentit Joe Biden për dy vitet e ardhshme. Shpresat elektorale të demokratëve po goditen nga shqetësimet e votuesve për inflacionin e lartë. Në të njëjtën kohë, vlerësimi i miratimit të Presidentit Joe Biden ka mbetur nën 50% për më shumë se një vit. Në një sondazh të fundit nga agjencia Reuters dhe kompania Ipsos, është në 40%.