Mesi: Programi ‘LEAD Albania’, sistem vlerash unike në drejtim të mirë-qeverisjes”
Në Sallën e Hartave pranë mjediseve të Kryeministrisë u zhvillua ceremonia e diplomimit të pjesëmarrësve aktualë dhe prezantimit të atyre të rinj në Programin “LEAD Albania”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Zv/Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi, Kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim Michael Granoff dhe anëtarë të tjerë të Bordit pranë këtij institucioni.

Në fjalën e saj, Znj. Mesi vlerësoi kontributin e diplomuarve të këtij programi, të cilët me pasionin e përkushtimin e tyre kanë qenë shembull dhe vlerë për të gjitha institucionet ku kanë shërbyer, sikundër shprehu bindjen gjithashtu se edhe pjesëmarrësit e rinj për vitin 2018 do të punojnë me të njëjtin entuziazëm dhe përgjegjshmëri.

Zv/Kryeministrja Mesi, duke përcjellë mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer ndër vite me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për identifikimin dhe promovimin e të rinjve të talentuar, theksoi gjithashtu rëndësinë e Partneritetit të konsoliduar Strategjik mes Shqipërisë & Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Brenda këtij kuadri marrëdhëniesh të shkëlqyera, Znj. Mesi u ndal gjithashtu edhe tek një vendim që ka marrë së fundmi ky Fondacion në lidhje me krijimin e mundësive për kryerjen e Programeve të Masterit dhe Internshipit në institucionet më të rëndësishme të SHBA për të rinj e të reja nga sektori publik dhe privat shqiptar.
Për Qeverinë Shqiptare, shembuj të tillë suksesi që vijnë nga programi ambicioz “LEAD Albania” janë motivim për një mirë-qeverisje të bazuar në filozofinë e optimizimit të kapitalit njerëzor dhe në jetësimin e meritokracisë në administratën publike, duke u përkthyer kështu në kontribut real për rrugën e shtet-konsolidimit.
Shtuar më 11/10/2017, ora 14:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori