Hajdari paralajmëron PS-PD: Kujdes! S’do të lejojmë një pazar të radhës

Gjatë seancës plenare Rudina Hajdari paralajmëroi PS dhe PD se nuk do të lejojë një pazar mes tyre për reformën zgjedhore.

“Nuk do të lejojmë që reforma zgjedhore të përdoret dhe të bëhet pazari i radhës në kurriz të shqiptarëve. Ne do të kërkojmë sistemin më të duhur për shqiptarët. Kemi nevojë për më shumë mbështetje nga qytetarët dhe duhet të intensifikojmë bashkëpunimin. Ne po jetojmë një krizë të thellë besimi, por kjo është e patolerueshme.

Reforma zgjedhore nuk duhet të jetë më produkt i pazarit të radhës politik mbi supet e qytetarëve, por të bazohet tek vullneti i gjerë për të ndryshuar sistemin dhe për t’u dhënë shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur”, tha Rudina Hajdari.

“Ne duhet të bëjmë çfarë duan shqiptarët dhe t’u japim mundësinë për të zgjedhur. Shumica e shqiptarëve kanë pritshmëri të larta dhe ne duhet t’u përgjigjemi pritshmërive të tyre. T’i kthehemi Shqipërisë dhe t’u japim atyre institucionet.

Duhet të mbrojmë vendin tonë dhe t’i kthejmë vendit shpresën dhe të ndalim sa më parë emigracionin. Shqiptarët duhet të zgjedhin me lista të hapura. E drejta e tyre për të votuar do të rikthehet sërish në këtë Parlament dhe ne do t’ju japim sërish atyre të drejtën e sovranitetit”, u shpreh Rudina Hajdari.


Shtuar 20.01.2020 17:03