Kërkesa e Kosovës në KiE, kryeministrja serbe: “Kulmi i cinizmit”

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka deklaruar se kërkesa e Prishtinës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës është shkelje e të gjitha marrëveshjeve

Kryeministrja tha se një procedurë e tillë nuk është e çuditshme pas dhjetë vitesh shkelje dhe moszbatim të Marrëveshjes së Brukselit nga ana e Kosovës.

“Kjo lëvizje e tyre për anëtarësim në Këshillin e Evropës është kulmi i cinizmit. E kanë shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit” tha kryeministrja serbe Ana Brnabiq në Dubai, ku nënshkroi një memorandum për shkëmbimin e përvojave për zhvillimin dhe modernizimin me ministrin e kabinetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhammad bin Al. Abdullah Al Karkawa.

Ajo theksoi se në përgjigje të kësaj Serbia do të vijojv fushatën për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga ato vende që e kanë njohur tashmë.

“Gjithçka tjetër do të diskutohet në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, tha ajo, duke iu përgjigjur pyetjes së mediave serbe se cila do të jetë përgjigja e Serbisë ndaj lëvizjes së Prishtinës.

Brnabiq është anëtare e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, por ajo thotë se nuk do të mund të marrë pjesë në seancën e nesërme, sepse nesër do ta përfundojë vizitën në Dubai./albeu.com


Shtuar 12.05.2022 15:43