Mesazhi i Tahirit: Me mua zhyten të gjithë, edhe Rama
Saimir Tahiri është duke i çuar mesazhe të forta ish-shefit të tij Rama në lidhje dosjen në emër të tij, e cila është aktualisht në duart e drejtësisë.

Tahiri gjendet sot sërish para gjykatësve të Krimeve të Rënda, e cila pritet që të japë vendimin në orën 16:00 për akuzat e prokurorisë në lidhje me përfshirjen e ish-ministrit në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Mirëpo, gjatë këtyre dy seancave të fundit, Tahiri ka ndjekur një strategji të qartë me mesazhet që i dërgon ish-shefit Rama duke sulmuar me radhë njerëzit më të besuar të tij. Fillimisht Tahiri sulmoi Mimi Kodhelin duke thënë se ajo e dinte se radarët nuk punonin, gjë që ndihmonte në trafikun e drogës, raporton Albeu.com.

Më pas përmendi Etilda Gjonajn në kulmin e debatit për harxhimet e shumta të saj në hotelet e luksoze të Europës duke thënë se fatura më e shtrenjtë e tij ishte pak më tepër se 100 euro.

Sëfundmi, Tahiri ka sulmuar direkt Ramën edhe Fatmir Xhafajn, pjesë e klanit Veliaj në PS.

Ai tha se "ka njerëz që s’mbajnë përgjegjësi për vëllezërit e tyre trafikantë. Mua më kërkoni llogari për një makinë. Unë ia kam kushtuar jetën time ministrisë së Brendshme".

Akuza për trafik droge dhe përfshirje në punë të pista janë hedhur nga opozita, kryesisht nga Berisha edhe për vëllain e Ramës. Madje Berisha thotë se gjermanët e kanë dosjen plot me trafiqet e Olsi Ramës.

Kështu, ish-ministri ka lëshuar një mesazh të fortë duke thënë se nëse "zhytem unë, do të zhyten të gjithë" duke besuar se kjo nuk është një çështje drejtësie, por siç edhe tha ai para një jave, "janë forca jashtë Sistemit të Drejtësisë" që e duan atë në burg. /albeu.com/
Shtuar më 19/09/2019, ora 17:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori