Mesazhi i Myftiut të Kosovës me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit
Albeu.com
“Vëllezër të nderuar! Nesër,është dita e parë e muajit të madhërishëm të Ramazanit, muajit të mëshirës, të faljes, të bereqetit dhe të mirësisë. Ramazani është muaji në të cilin Allahu i Gjithmëshirshëm e filloi zbritjen e Kuranit-udhëzuesit për mirëqenie të gjithmbarshme njerëzore.Për këtë Allahu i Gjithmëshirshëm në Kur’an thotë: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin filloi të shpallet Kurani e që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të vërtetës nga gënjeshtra”. (El-Bekare, 185)...


Ky muaj i bekuar, karakterizohet mbi të gjitha me obligimin e besimtarëve për ta agjëruar- ibadet që është ndër shtyllat themelore të besimit islam. Agjërimi reflekton më së miri besimin, devotshmërinë dhe përkushtimin e besimtarit ndaj Krijuesit të Gjithmëshirshëm. Ngase agjërimi është adhurim që ka të bëjë me shpirtin, bindjen, dhe fisnikërimin e njeriut ku qëllimi parësorë i agjërimit është ngritja shpirtërore e besimtarit Muaji i Ramazanit është rast ideal dhe për besimtarin që duke agjëruar ditët e këtij muaji dhe, duke i kryer edhe ibadetet tjera, të fitojë kënaqësinë e Allahut. Gjithashtu, mjafton të përkujtojmë, se në këtë muaj është edhe Nata e Madhe e Kadrit, vlera e së cilës është tepër e madhe, madje siç thotë Kurani, më e madhe se një mijë muaj tjerë. Pejgamberi –paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të- me një rast ka thënë: “Muaji rexheb është muaji i Allahut të Gjithmëshirshëm, muaji shaban është muaji im kurse muaji ramazan është muaji i ymmetit tim”. Ai, sa herë kur fillonte muaji rexheb, fillonte e shtonte ibadetin e tij, e gjatë muajit vijues atë e bënte edhe më shumë, kurse gjatë muajit Ramazan përkushtohej në ibadet me tërë qenien e tij, dhe atë sa ditën sa natën. Bënte aq shumë adhurim sa zonja e nderuar Ajshe thoshte se nuk e dija se kur trupi tij i bekuar ulej për të pushuar. Kjo traditë e Pejgamberit duhet të na shërbej shembull, që në veçanti gjatë këtij muaji, të shtojmë ibadetin, sepse, përmes kësaj arrijmë shkallë më të lartë të devotshmërisë. Të nderuar besimtarë! Muaji i Ramazani është rasti me i mire që ti kthehemi Krijuesit, për ta kuptuar misionin tone të shenjtë, mision ky i cili na bënë te harrojmë mosmarrëveshjet mes nesh, na udhëzon në vepra te mira ngase nesër që të gjithë do te dalim para Krijuesit. E para All-llahut nuk bënë te dalim ndryshe veçse të përulur, me devotshmëri e zemër te pastër te mbushur me plot besim. Andaj kush e agjëron me kënaqësi dhe në përputhje me dispozitat e parapara, s’ka dyshim se Allahu do t’ia falë mëkatet e mëparshme. Agjërimit është ngritje shpirtërore e besimtarit dhe arritja e një shkalle të dëshirueshme të devotshmërisë. Duke e kryer këtë ibadet, duhet pas parasysh se dimensionet e tij janë shumë të gjëra në kuptimin se ai nuk e synon vetëm lënien e ngrënies dhe të pirjes, por, gjithsesi, edhe të gjitha atyre elementeve negative, të ndaluara nga Allahu e të dëmshme për individin dhe shoqërinë. Besimtari duhet të agjëroj me të gjitha pjesët e trupit dhe kështu, duke u ruajtur nga të haramet, më së miri do ta ndjej kënaqësinë e agjërimit. Në të kundërtën, kush agjëron vetëm formalisht, pra, vetëm duke e lënë ngrënien dhe pirjen, e jo edhe të gjitha ato elemente negative të cilat bien ndesh me parimet e agjërimit, siç janë: vjedhja, gënjeshtra, fyerja etj nga ai agjërim nuk ka dobi ose ajo dobi është shumë e vogël. Të përkujtojmë me këtë rast thënien e Pejgamberit a.s.:”…e kush nuk e lenë gënjeshtrën dhe veprat tjera të dëmshme, duhet ta dijë se Allahu nuk ka nevojë për barkun e unët ose gojën e etshme të asnjërit…”. Kështu, kur besimtari mësohet të jetë i ruajtur nga haramet sa është duke agjëruar, ai do ta ketë më lehtë të veprojë edhe në jetën e rëndomtë. Veçori tjetër e agjërimit, është edhe vet natyra që ofron agjërimi i Ramazanit, sepse ai reflekton butësi shpirtërore, respekt, mëshirë dhe bamirësi. Këto virtyte të larta njerëzore duhet të na shoqërojnë gjatë këtij muaj të bekuar. Aq më tepër kur të gjithë jemi dëshmitarë se një numër i familjeve tona kanë nevojë për t’iu ndihmuar. Nuk është aspak humane që dikush ti gëzoj gjithë ato begati e nimete sa kohë që fqinji i tij lufton për të siguruar kafshatën e gojës. Është e drejtë dhe njerëzore që edhe fëmijët e nevojtarëve të kenë me çka të gëzohen. Shoqëria jonë nuk bënë kurrsesi e ti harrojë invalidët, fëmijët dhe familjet e dëshmorëve, të sëmurët edhe ata me aftësi të kufizuara. Pejgamberit a.s. gjatë Ramazanit çdo nevojtar që i trokiste ne derë e ndihmonte, dhe e porosiste familjen e tij për t’i ndihmuar jetimët dhe të nevojshmit Prandaj, këto virtyte të larta njerëzore duhet të na shoqërojnë gjithmonë e në veçanti gjatë këtij muaji të shenjët. Vëllezër dhe motra! Muaji i Ramazanit sivjet është më i veçantë për ne, ngase Kosova tashmë po hynë në fazën më të rëndësishme -definimin e statusit të saj. Kjo na obligon të gjithëve edhe më shumë që në mes nesh të mos ketë divergjenca e interesa të çfarë do lloji qofshin ato, por si gjithherë na duhet uniteti, guximi, vendosmëria e harmonia e te gjithë faktorëve tanë me të vetmin qëllim realizimin e vullnetit të popullit. Vëllezër dhe motra! Me rastin e muajit të Ramazanit, kam kënaqësinë që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve te saja dhe në emrin tim personal t’ ju urojë këtë muaj të bekuar, duke e lutur All-llahun e Gjithmëshirshem që adhurimet dhe veprat tona të mira të na i pranojë. Juve besimtar te nderuar ju dëshirojë agjërim të lehtë, shëndet e lumturi si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e diasporë. Urojë, gjithashtu, edhe vëllezërit dhe motrat nga radhët e ndërkombëtarëve, të cilët momentalisht janë me detyrë në Kosovë, më dëshirë që Allahu të na e pranojë të gjithëve agjërimin tonë. AMIN. Me fat Ramazani!”
Shtuar më 05/10/2005, ora 14:21
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori