Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, zbardhet agjenda

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen në Bruksel të enjten, 14 shtator, në ndërmjetësim të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Siç ka njoftuar BE-ja të martën, takimi do të mbahet pas takimeve që Borrelli e Lajçaku do të kenë ndaras me liderët e të dyja shteteve.

Në komunikatë bëhet e ditur se takimet do të nisin në orën 9 të mëngjesit, e pas takimeve bilaterale, do të jetë takimi trepalësh.

“Takimi do të jetë i fokusuar në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”, thuhet në njoftim.

Mediat kosovare shkruajnë se pas takimeve do të ketë deklaratë për media nga Borrelli.


Shtuar 12.09.2023 17:35