Mergimtaret shqiptare i sjellin 1 miliard euro te hyra Maqedonise
Albeu.com
Po vijnë kurbetçarët duke u konsideruar si shpëtimtarë të krizës ekonomike. Sipas ekspertëve për çështje ekonomike, afër 1 miliardë euro janë të hyrat nga kurbetçarët dhe nga këto 90 për qind janë shqiptarë.
Qeveria e Maqedonisë në kuadër të rebalancit të buxhetit ka paraparë për mbulimin e një pjese të dobësive të buxhetit të vitit 2010 nga paratë e dërguara nga jashtë apo të ashtuquajturat remitenca.

Nga fillimi i këtij muaji ka nisur ardhja e fluksit të kurbetçarëve dhe se paratë e tyre të sjellura do të mëkëmbin qarkullimin ekonomik dhe derdhjen e sasive të konsiderueshme të devizave. Paratë e mërgimtarëve janë shumë të rëndësishme për konsumin e ekonomive familjare në Maqedoni.

Shumica e shqiptarëve janë të papunë dhe kryesisht jetojnë nga të ardhurat e familjarëve të tyre që punojnë në vendet e BE-së. Sipas ekspertëve për çështje ekonomike rreth 1 miliardë euro janë të hyrat nga kurbetçarët dhe se 90 për qind prej tyre janë shqiptarë.

“Kurbetçarët janë shpëtimtarë për vendin tonë dhe kjo ka ndikim shumë të madh. Afër 1 miliardë euro janë të hyrat nga ta dhe këtë e ka të njohur edhe Qeveria dhe institucionet e tjera financiare”, ka theksuar eksperti për çështje ekonomike dhe ish-ministri i financave, Xhevdet Hajredini, duke shtuar se me këto mjete për çdo vit financohet deficiti buxhetor.

Ligjëruesi pranë UEJL-së, Mr. Elmi Aziri vlerëson se paratë e dërguara nga jashtë apo remitencat ndikojnë shumë në bilancin e pagesave dhe se sipas tij, është për keqardhje që Banka Popullore e Maqedonisë shumë vonë ka filluar që këto mjete ti punoj.
“Këto remitenca kryesisht vijnë nga shqiptarët dhe se ato ndikojnë dukshëm në rritjen e qarkullimit ekonomik. Ato kanë ndikuar edhe në zbutjen e krizës së fundit ekonomik nga e cila u përfshi vendi vitin e kaluar”, ka theksuar Aziri, duke shtuar se paratë e diasporës paraqiten si katalizatorë për burimet e sektorit ekonomik.

Shpenzimet në sektorin e ndërtimit, shërbimeve, turizëm, manifestime dhe ahengje familjare janë kryesisht mjetet që harxhohen nga ana e kurbetçarëve. Agjencia më e madhe dhe më e vjetër e informacionit tregtar dhe të biznesit në botë “Dun & Bradstreet (D&B)” ka paralajmëruar se dërgesat e parave nga jashtë do të rriten si pasojë e përmirësimit të ekonomisë globale dhe kërkesave gjithnjë e më të mëdha të krahut të punës në vendet e perëndimit.

Banka Popullore e Maqedonisë dhe institucionet financiare në vend asnjëherë nuk japin shifra të sakta sa i përket dërgesave nga jashtë. Sipas raportit të BPM-së për vitin 2009 theksohet se në vend niveli i dërgimit të parave nga jashtë ka qenë 100 milionë euro, mirëpo ky raport nuk ka përfshirë paratë që i harxhojnë mërgimtarët gjatë pushimeve në vendlindje. (ina)
Shtuar më 06/07/2010, ora 14:42
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori