Menduh Thaçi: Pas 1 qershorit koalicion me Ali Ahmetin
Albeu.com
Kreu i PDSH-së në një intervistë për BBC shprehet i bindur se do të fitojë në zgjedhjet e 1 Qershorit, dhe pas kësaj date i pari me të cilin do të bisedojë për realizimin e kërkesave shqiptare do të jetë Ali Ahmeti.Ai thotë se integrimi i vendit nuk mund të sakrifikohet për shkak të çështjes së emrit me Greqinë.

"As që më shkon ndërmend të bëj kompromis, apo ta them direkt, ta shes rrugën e NATO-s të shqiptarëve me diçka tjetër, as me jetën time" thotë zoti Thaçi.
I pyetur nëse do të bënte koalicion edhe me Lidhjen Social-Demokrate, ndaj të cilës shprehet vazhdimisht kritik, zoti Thaçi: "Nëse pranohet axhenda që unë e kam përpara, duke filluar nga anëtarësimi në NATO, procesi i reformave, data e bisedimeve me BE-në, njohja e pavarësisë se Kosovës, zyrtarizimi i gjuhës shqipe, me të gjithë jam i gatshëm të bisedoj dhe bashkëpunoj".

Menduh Thaçi shprehet i bindur për fitoren në radhët e elektroratit shqiptar në zgjedhjet e së djelës. Pas zgjedhjeve, kreu i PDSH-së thotë se me të parin që do të bisedojë për realizimin e kërkesave shqiptare do të jetë BDI dhe zoti Ali Ahmeti.
Zoti Thaçi thotë se do të tejkalohen tensionet e shfaqura gjatë fushatës dhe hodhi poshtë akuzat për sulme ndaj kreut të BDI-së, ndonëse pranoi se ka ndikim në situatën në terren si një nga aktorët kryesorë politikë.

Ai tha se kërkesat shqiptare në Maqedoni do të realizohen. Maqedonia do ta njohë edhe zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që ka besim se do të ketë një proces të rregullt zgjedhor dhe, prandaj, do të pranojë dhe rezultatet zgjedhore.

Menduh Thaçi beson se do të jetë sërish pjesë e qeverisë pasi, siç thotë, ka projekte të papërfunduara me VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit.

Por pas pak kohe pas zgjedhjeve të 1 Qershorit, pavarësisht nëse humbet ose fiton në mesin e shqiptarëve, zoti Thaçi thotë se do të tërhiqet nga politika, për t'i lënë vend figurave të reja.

"Unë edhe nëse i fitoj zgjedhjet mendoj të zbres prej shkallëve politike".
Zoti Thaçi, në intervistën dhënë BBC-së, thotë se koha e politikanëve të tranzicionit po përfundon, në mesin e të cilëve bën pjesë edhe ai. (bbc-start-albeu)
Shtuar më 29/05/2008, ora 20:42
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori