Menduh Thaçi: Maqedonia shumë shpejt do ta njohë pavarësinë e Kosovës
Albeu.com
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi deklaroi se Maqedonia shumë shpejt do të njohë pavarësinë e Kosovës edhe ate sipas tij kur do të thotë PDSH-ja.“Kosova tashmë e ka kaluar fazën e euforisë dhe emocioneve, jam shumë i bindur se lidershipi do të punojë në aspektin e shmangies së histerisë dhe mitizimit serb në Kosovë dhe të punojnë në ngritjen e një shteti ligjor”, theksoi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili qëndroi dje në Dibër në një takim me anëtarët dhe simpatizantët e partisë së tij. Lidhur me pyetjen se kur Qeveria e Maqedonisë do ta njoh pavarësinë e Kosovës, Thaçi shtoi se “kjo çështje do të bëhet shumë shpejt dhe kur do ta thotë PDSH-ja”.

Kryetari i PDSH-së theksoi se qëndrimi i tyre dhe i shqiptarëve rreth propozimit të fundit të ndërmjetësuesit të OKB-së, Metju Nimic për emrin e ri të Maqedonisë është konstruktiv.

“Përshkak të aspekteve principiele nuk dua të deklarohem për propozimin e Nimic, për shkak se nesër sërish do të kemi takim liderësh. E rëndësishme është që të gjitha partitë dhe dy etnitetet më të mëdha të arrijnë qëndrim të përbashkët”, theksoi Thaçi.


Ai paralajmëroi hyrjen në fuqi sa më shpejt të marrëveshjes për heqjen e vizave me Shqipërinë, informon korrespodenti i agjencisë INA në Dibër.

Kryetari i PDSH-së për herë të parë ka folur edhe për dorëheqjet e ofruara të funksionarëve të kësaj partie duke shtuar se “ka pasur shumë keqkuptime rreth kësaj çështje”. Ai paralajmëroi se mund që të mos ndrrojë asnjë nga funksionarët që kanë ofruar dorëheqje nga postet publike.

“Ka shumë keqkuptime në lidhje me këto ndryshime që i paskam tërhequr funksionarët. Realisht njerëzit nuk e njohin funksionimin e PDSH-së. Unë si kryetar kam të drejtën ekskluzive të propozimeve për tërheqjen apo propozimin e dikujt, por organet e partisë janë ato të cilat do të vendosin. Thënë sinqerisht ngadalë e kam ndrruar mendimin se funksionarët e PDSH janë djem të rinj, të shkëlqyeshëm që kanë pasur lëshime të vogla në komunikim me njerëzit.Kjo ka qenë vërejtja e ime dhe kur i krahasoj me Musa Xhaferin dhe Agron Buxhakun, mendoj se funksionarët tanë janë engjuj. Dhe ndoshta nuk do të ndrrojë asnjërin”, theksoi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Në komunën e Dibrës qëndroi sot edhe ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor, Xhelil Bajrami në promovimin e disa projekteve për mbrojtjen e ambientit jetësor në këtë rajon. (A.D)
Shtuar më 24/02/2008, ora 20:30
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori