Vrasja e Briken Sanajt te “Kodra e Diellit”/ Dyshohet për hakmarrje, vëllai i viktimës ka plagosur një person në 2012

Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e mbrëmjes së djeshme te Kodra e Diellit, ku mbeti i vrarë 39-vjeçari Briken Sanaj.

Burime bëjnë me dije se në vitin 2015 vëllai i Sanajt kishte plagosur një person në Ishull-Lezhë. Ndërkohë, familja e tij jeton në lagjen “Besëlidhja” të këtij qyteti.

Viktima ishte pa precedent të mëparshëm penal, ndërsa dyshohet se kanë qenë dy autorët që kanë kryer vrasjen.

Policia është duke punuar në pistën e vrasjes me paramendim, ndërsa kamerat e sekuestruara kanë filmuar pamje të rëndësishme dhe po punohet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.

Sanaj u qëllua nga një automjet në lëvizje me breshëri kallashnikovi. I plagosur, 39-vjeçari u dërgua nga banorët e zonës në spital, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.

Në të gjitha dokumentet që ju gjetën me vete emri i viktimës është Briken Sanaj, megjithatë, ai njihet nga rojet private te Kodra e Diellit si Anton Gjini dhe kishte më shumë se një vit që ishte rezident te “Kodra e Diellit.”