Memorandumi i nënshkruar lehtëson punën e EULEX-it
Albeu.com
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë e ka quajtur marrëveshje tërësisht teknike dokumentin e nënshkruar ditë më parë nga krerët e dy misioneve ndërkombëtare.Misioni për drejtësi dhe polici i Bashkimit Europian, EULEX, në një komunikatë për media e ka vlerësuar dokumentin e nënshkruar ndërmjet shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, si dhe krerëve të misionit të Bashkimit Europian, shefit të EULEX-it, Yves De Kermabon dhe atij të Ekipit planifikues të BE-së, Roy Reve si një zhvillim të rëndësishëm për punën e ardhshme të EULEX-it në Kosovë.

Shefi i misionit EULEX, Yves DeKermabon, e ka quajtur marrëveshjen e nënshkruar si "një hap të rëndësishëm i cili do t'i lejojë EULEX-it të ec përpara dhe të intensifikojë shtrirjen e misionit në javët e ardhshme, në bashkëpunim të ngushtë me UNMIK-un.

Misioni EULEX pritet të jetë funksional dhe në përbërje të plotë në fund të kësaj vjeshte", thuhet po ashtu në komunikatë.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë e ka quajtur marrëveshje tërësisht teknike dokumentin e nënshkruar ditë më parë nga krerët e dy misioneve ndërkombëtare. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Russel Geekie, thotë se marrëveshja nënkupton shitjen e aseteve dhe pajisjeve të UNMIK-ut për misionin EULEX.

"Është një marrëveshje teknike që flet për shitjen e aseteve të UNMIK-ut për EULEX-in. Është plotësisht një marrëveshje teknike", tha zëdhënësja e UNMIK-ut Russel Geekie.

Në një konferencë për media të mbajtur më datën 15 gusht, Zëvendëshefi i përkohshëm i misionit të OKB-së në vend, Nicholas Haysom, e kishte cilësuar marrëveshjen e nënshkruar si memorandum mirëkuptimi ndërmjet dy misioneve e cila do t'ia hapte, në njëfarë mënyre, derën misionit EULEX. Ndërkaq, sipas Geekiet nuk bëhet fjalë për transferim kompetencash por se marrëveshja e nënshkruar natyrisht se do të jetë lehtësuese për shtrirjen e misionit EULEX në mbarë Kosovën.

"Është një hap i rëndësishëm i cili ndihmon fillimin e angazhimit të EULEX-it. Natyrisht se EULEX-i ka filluar shtrirjen e misionit të vet, por ky dokument do t’u ndihmojë njerëzve të këtij misioni të fillojnë punën e tyre", deklaroiGeekie.

Misioni i OKB-së në Kosovë zyrtarisht ka filluar rikonfigurimin e vet të hënën më datën 18 gusht, proces ky i cili do të përfundojë me bartjen e kompetencave tek misioni EULEX.

Edona Peci, alsat
Shtuar më 19/08/2008, ora 19:40
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori