Melihate Termkolli braktis LDK-ne dhe aderon ne AAK
Albeu.com
Ish-kryetarja e Gruas dhe anëtare Kryesisë së LDK-së për vite me radhë, sot ka aderuar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, të Ramush Haradinajt. Ky kalim i Melihate Tërmkollit, nga kryetari i AAK-së, Ramush ...... Haradinaj është cilësuar si një ngjarje me rëndësi për politikën në Kosovë, ngase, siç ka thënë ai, në AAK kalon një veprimtare e shquar e çështjes kombëtare, e lëvizjes për liri dhe pavarësi dhe e punës për ndërtimin e shtetit.
Haradinaj ka përmendur katër aspekte, që sipas tij e bëjnë Tërmkollin veprimtare të madhe, siç është kundërshtimi i saj për ndryshimet kushtetuese në fund të viteve të '80 ta, veprimtaria e saj për liri dhe pavarësi në periudhën e viteve të '90 ta në kuadër të LDK së, angazhimi i saj si deputete në gjashtë mandate dhe si ministre e Shërbimeve Publike.
Kurse Tërmkolli nuk ka dashur të japë shumë arsye për aderimin e saj në AAK dhe largimin nga partia për të cilën vazhdimisht ka thënë se nuk do ta lërë asnjëherë.
Ajo ka thënë se ka bërë përpjekje për shumë vjet që të ndryshojë diçka pozitivisht në LDK, por ka parë se vetëm në AAK çmohet puna dhe angazhimi.
Sipas saj, edhe kontributi i Haradinajt dhe orientimi i AAK-së nga qendra e djathtë janë faktorë të rëndësishëm që e kanë shtyrë të jetë pjesë e kësaj partie.
Tërmkolli nuk ka mohuar se referimi për Haradinajn si kryeministër, është një paralajmërim që së shpejti kreu i AAK-së ta drejtojë ekzekutivin e vendit, pjesë e së cilës Qeveri do të mund të ishte edhe Tërmkolli.
Melihate Tërmkolli ishte ministre e Shërbimeve Publike në kohën e qeverisjes së AAK- së. Ajo është deputetja e dytë që largohet nga LDK ja dhe i bashkohet AAK-së. Kohë më parë kësaj partie i është bashkuar edhe Haki Shatri, po ashtu ministër i Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë Haradinaj.
Shtuar më 01/05/2010, ora 03:22
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori