MEI kallëzon për ndjekje penale Florjon Miman dhe Enno Bozdon
Ministria e Energjisë dhe Industrisë, ka përmbyllur procesin e auditit lidhur me rregullshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të shitjes së aksioneve të “HEC Ulëz-Shkopetit” dhe “HEC Bistrica 1 e Bristrica 2”, tek shoqëria “Kurum International” sha.

Nga auditimi është evidentuar se ish titullarët e Ministrisë Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ministri Florjon Mima dhe Zv. Ministri Enno Bozdo, kanë konsumuar elementët e veprës penale të "shpërdorimit të detyrës", ç'ka i ka shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm 3.4 milion euro.

Midis ish-METE, përfaqësuar respektivisht nga ish Ministri Z.Florjon Mima dhe ish Zv.Ministri Z. Enno Bozdo, janë nënshkruar deklaratat e përfundimit lidhur me marrëveshjet e shitjes për këto HEC-e ndërsa me urdhërat e ish-Ministrit është bërë transferimi i aksioneve të HEC-eve.

Nga përllogaritjet e kryera nga auditimi, përveç parregullsive në procedurë, rezulton se blerësi duhet të paguante vlerën e rregullimit prej rreth 3.4 milion Euro për HEC Ulëz-Shkopet, shumë e cila përbën dëm ekonomik për interesat e shtetit dhe përfitim të pa drejtë për blerësin. Deklarata e përfundimit të shitjes për këtë HEC është nënshkruar nga ish zv. Ministri Enno Bozdo. Për Hec Bistrica 1 dhe 2, nuk rezulton të ketë vlerë rregullimi në çmimin e shitjes.

Titullarët e ish METE (veçanërisht ish zv.Ministri Enno Bozdo, i cili ka nënshkruar dy kontratat dhe deklaratën e përfundimit për HEC Ulëz Shkopet) duke mos vepruar në rinovimin apo ngritjen e një grupi të ri pune, mos ndjekjen prej tyre të zbatimit të detyrimeve dhe angazhimeve të marrëveshjeve, kanë bërë që këto marrëveshje të mos finalizohen për veprimet e mëposhtme:

- Ish organet drejtuese të shoqërive që janë privatizuar, pas datës së përfundimit, nuk kanë përgatitur Draft Bilancet e Përfundimit dhe Draft Vlerën Neto të Aktiveve të Përfundimit, sipas parashikimeve të Shtojcës 4, Pjesa 1, pika 2 të Marrëveshjeve respektive.

-Blerësi nuk ka përmbushur detyrimet sipas parashikimeve të Shtojcës 4, Pjesa 1, pika 2 të Marrëveshjeve për njoftimin me shkrim të shitësit të Draft Bilanceve të Përfundimit për periudhat që përfundojnë në fund-muajin më të afërt me Datën e Përfundimit; njoftimin e Draft Vlerës Neto të Aktiveve të Përfundimit si dhe Vlerën e Rregullimit të propozuar dhe të propozimit për pasojë, të rritjes së çmimit të shitjes ose të zvogëlimit të çmimit të shitjes, nëse ka. Këto mospërmbushje kanë sjellë për pasojë moskryerjen e veprimeve të mëtejshme të parashikuara në nenin 4 dhe shtojcën 4 (pjesa 3 dhe pjesa 4) të marrëveshjeve për “rregullimin e çmimit të shitjes”.

-Nuk janë bërë përllogaritjet për dividentet dhe shpërndarjet e deklaruara, që i takojnë shitësit, për periudhat përpara datës së përfundimit, sipas përcaktimeve në nenin 3 të Marrëveshjeve. Llogaritja e dividentit për fund vitin 2012 për HEC Ulëz–Shkopet është bërë jo në përputhje me kushtet e marrëveshjes dhe nuk ka gjetur ende zbatim për arkëtim.

-Nuk janë finalizuar rregullimet për pasaktësitë e konstatuara nga drejtuesit e shoqërive lidhur me pronat e përfshira në anekset e marrëveshjeve të shitblerjes së aksioneve të dy shoqërive.

- Nuk janë bërë përllogaritjet per investimet e kryera nga KESH- sha per llogari te HEC Ulez-Shkopet. Investimet kanë përfunduar në muajin maj 2013 ( në kohën kur është përpiluar deklarata e përfundimit) dhe ato ende figurojnë dhe mbahen si investime në proces në bilancin financiar të konsoliduar të KESh-sha. Vlera e investimeve është në shumën 85,396,083 lekë. Këtë konstatim e ka evidentuar edhe KLSH në auditimin e tij të kryer në KESh-sha në muajin qershor 2015.

Të gjitha këto mangësi kanë bërë që marrëveshjet e mësipërme të mos finalizohen plotësisht. Shtetit i është shkaktuar dëm ekonomik dhe njëkohësisht blerësi ka përfituar padrejtësisht shumën prej 3.4 milon euro nga procesi i shitjes së HEC Ulëz Shkopet. Kjo shumë vjen nga mos rregullimi i çmimit të shitjes me elementët e përcaktuar në formulën e llogaritjes së vlerës neto të aktiveve në përfundim (parashikuar në shtojcën 4, pjesa 3 e marrëveshjes), të cilat janë si më poshtë: Fitimi i vitit 2012 në shumën 1,267,867.94 Euro; investime të kryera në vitin 2012- 2013 në shumën 605,130.98 Euro dhe fitimi deri në 31.05.2013 në shumën rreth 1,540,000.00 Euro.

Provohet se të kallëzuarit Florjon Mima dhe Enno Bozdo, duke qënë personat që ushtronin funksionet më të larta publike në ish METE, me veprime aktive dhe mosveprime, kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave të kundraligjshme, që janë mos finalizimi i marrëveshjeve në të gjithë elementet e parashikuar në to, e sidomos ajo e çmimit të shitjes, duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshme të shtetit si dhe kanë lejuar përfitime të padrejta për blerësin.

Në këto kushte, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në përmbushje të detyrimit ligjor të parashikuar nga neni 281 i Kodit të Procedurës Penale, kërkoi nga organi i akuzës regjistrimin e procedimit penal ndaj shtetasve Florjon Mima dhe Enno Bozdo, për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë vazhdon procesin e auditit në të gjitha konçesionet me objektiv kontrollin e zbatueshmërisë së detyrimeve dhe procedurave ligjore. /albeu.com/


Shtuar më 12/10/2015, ora 12:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori