Dhunoi mizorisht qytetarin që e filmoi, merret vendimi për policin “gangster” të Lushnjës

Efektivi i Komisariatit të Lushnjes, i cili dhunoi pak ditë më parë tregtarin Amarildo Hoxha, është pezulluar nga puna. SHÇBA ka njoftuar ditën e sotme se ka pezulluar nga puna Inspektorin me iniciale B.Sh dhe ka vendosur masën detyrim paraqitje.

Lushnjë – Pezullohet punonjësi i Policisë për veprime arbitrare

SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, më datë 28.10.2021 ka ekzekutuar vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë në Komisariatin e Policisë Lushnje, Inspektor B.SH.

Hetimi në bashkëpunim të ngushtë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnje për veprën penale “Kryerje e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal, pas ankesës së shtetasit A.H., i cili ka deklaruar se është dhunuar nga punonjës policie në vendin e quajtur “Rotondo e Savrës”, Lushnje.

Hetimet po vijojnë.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

NGJARJA NË FJALË:

Amarildo Hoxha nga Elbasani u dhunua nga Polici në Lushnje ndërsa kjo e fundit në një reagim zyrtar thoshte se ai kishte kanosur dhe ishte konfliktuar me uniformat blu.

Hoxha ka bërë kallëzim penal ndaj policëve, sikundër këta të fundit kanë vepruar në të njëjtën mënyrë.

Ndërkohë duke rrëfyer ngjarjen, Hoxha thotë se po udhëtonte me mjetin e tij tip “Furgon” nga Fieri në drejtim të Elbasanit ndërsa është ndaluar nga një postbllok i Komisariatit të Policisë Lushnje.

Sipas tij dy efektivët e policisë e kanë dhunuar fizikisht pasi ky i fundit në momentin e ndalimit ishte duke filmuar me telefonin e tij.

“Vija nga Fieri, këtu ishin policët, nxorën tabelën dhe më thanë hap krahun, më jep patentën, lejen e qarkullimit. Të gjitha dokumentet e mjetit ia dhashë.

Në kroskot të makinës kisha telefonin, që po dëgjoja muzikë dhe po bëja (video) live nga Fieri aty. Polici e pa atë (telefonin) dhe tha: “Do më heqësh nga puna mua ti” dhe filloi me të ofenduar, me të sharë. “Ma jep telefonin” tha, para se të godiste.

Unë nuk ia dhashë telefonin, ai filloi të më godiste (xhamin e kisha të hapur) në kokë bam bam këtu dhe në sy. Hapi derën me zor, më shqeu dhe bluzën, kemi pamje për këtë. Mori telefonin dhe më binte me telefon në kokë dhe më shante. Tjetri erdhi me vrap të mbante atë policin pse më godite mua: “Çfarë ka tha.”

“Me video do më heqë nga puna”, tha ai dhe vetëm godiste.

Më mori dhe zvarrë dhe më ka goditur deri atje te tabela bam me shkelma, sepse nuk i hipa në furgon. Më hipi lart në furgon, më kyçi, mori makinën time dhe iku”, ka deklaruar mes të tjerash i riu.