Mediat për varrimin e Rugovës
Albeu.com
Mediat më të rëndësishme botërore i kushtuan hapësirë të madhe varrimit të kryetarit të Kosovës Ibrahim Rugova. Ato potencojnë pjesëmarrjen në ceremonitë mortore të personaliteteve të rëndësishme ndërkombëtare dhe rolin e madh që kishte Rugova në politikën dhe historinë e Kosovës.Shtypi evropian vlerëson se në varrimin e kryetarit Ibrahim Rugova morën pjesë qindra mijëra persona. Gazeta “Independent” thotë se në varrim morën pjesë gati gjysma e popullsisë së Kosovës, rreth 1 milionë veta. Sipas kësaj gazete, nismëtari i kërkesave të Kosovës për pavarësi përmes rezistencës paqësore, i bashkoi sërish qytetarët të cilët përcollën varrimin e tij. “International Herald Tribune”, fokuson ritet e zbatuara në ceremonitë mortore. “Shumica shqiptare në Kosovë i tha lamtumirë kryetarit, në ceremonitë që kishin të gjitha elementet shtetërore” thotë kjo media duke përshkruar shoqërimin e arkivolit me trupin e pajetë të Rugovës nga rojet e nderit të TMK-së. “Lideri i pavarësisë Rugova, pati funeral të heroit” është titulli i artikullit në gazetën e njohur “The Guardian”, sipas të cilës Rugova si pacifist , para 17 vitesh ndihmoi krijimin e njërës ndër partitë e para të pavarura që sfiduan regjimin komunist në ish Jugosllavi. Transmetuesi publik britanik, BBC potencon sidomos pjesëmarrjen në varrim të përfaqësuesve të rëndësishëm evropianë. Në Zvicër, si vend diplomacia e të cilit është shprehur pro pavarësisë së Kosovës, mediat thonë se nga shumëkush Rugova shihej si baba i kombit. “Ai simbolizonte rezistencën paqësore dhe duhej të drejtonte shumicën shqiptare drejtë kompromisit në bisedimet për statusin final” thotë “Svissinfo”. “Rugova ishte njeriu që udhëhoqi luftën për pavarësi nga Serbia. Pa një pasardhës të qartë, vdekja e tij e lë politikën kosovare në rrëmujë” thotë rrjeti televiziv “Sky News”. Ndërkaq, “AFP” thotë se vdekja e tij ka krijuar zbrazëti që detyroi OKB-në të shtyjë bisedimet për statusin. Edhe mediat tjera botërore përqendrohen në reflektimin e vdekjes së tij, në negociatat për statusin. “Vdekja e Rugovës e la Kosovën pa lider në bisedimet për statusin përfundimtar” shkruan “Independent”, kurse “The Guardian” thotë se këto bisedime duhet të zgjidhin situatën në Kosovë, me siguri duke konfirmuar pavarësinë e kushtëzuar, që duket se do të kundërshtohet nga serbët. Për njërën nga gazetat greke “Kathimerini” pavarësia e Kosovës është vetëm çështje kohe. Në Shqipëri, mediat i kushtuan hapësirën kryesore varrimit të kryetarit Rugova. Në shtypin e Kosovës ndërkaq, funerali i djeshëm zë hapësirën qendrore. “Bota Sot” ka dal me titullim kryesor “Prehu i qetë në dheun e Kosovës - Dardanisë antike, President Rugova". "Zëri" i kushton 13 faqe me titull: "Kosova i dha lamtumirën e fundit Presidentit të pavarësisë”. "Lamtumirë, President!", është titulli kryesor i gazetës "Koha ditore". Ngjashëm është edhe tek “Lajm ekskluzive” dhe “Kosova Sot”, kurse “Ekspres” hap numrin e sotëm me titullin “Pacifisti nderohet nga ushtarët". Në ditoren “Epoka e re” titulli kryesor është “Presidentit Rugova iu dha lamtumira e fundit”. Ditoret në Prishtinë botuan edhe komente rreth rolit të kryetarit të ndjerë dhe zhvillimeve politike që priten pas vdekjes së tij.
Shtuar më 28/01/2006, ora 10:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori