Mediat greke, spekulim me videon e UÇÇ-së
Albeu.com
Stina e provokimeve nacionaliste duket se po vazhdon të nxehet, po ashtu siç pritet të ndodhë edhe me stinën natyrale, që meteorologët e parashikojnë se do të jetë nga më të pazakontat e dhjetëvjeçarëve të fundit.Tashmë, në lojën e spekulimeve është futur fuqishëm elektronika dhe bota virtuale, nëpërmjet videove dhe materialeve të tjera propagandistike, që përhapen me shpejtësi dhe lehtësi.

Gazeta nacionaliste greke, "Stohos", është bërë protagoniste e provokimit të radhës, duke publikuar një video të cilën ia atribuon të ashtuquajturës "Ushtria Çlirimtare e Çamërisë". Në këtë video shfaqen në dy ambiente të ndryshme persona të veshur me veshje ushtarake, të maskuar dhe të armatosur me automatikë tip "kallashnikov". Në sfond të njërit prej ambienteve ndodhet një flamur i madh shqiptar dhe një hartë e Ballkanit, ndërsa mbi tavolinën ku është ulur personi që flet, ndodhen flamujt e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Personi që flet në videon e publikuar nga "Stohos", jep mesazhe nacionaliste në gjuhën shqipe, duke kërcënuar shtetin grek, por për shkak të fytyrës së mbuluar dhe cilësisë jo fort të mirë të videos, nuk mund të dallohet qartë. "Djemtë dhe vajzat e Çamërisë martire, me armë në dorë do t‘i thonë shtetit helen se këtu një çam nuk është i barabartë me një grek", thuhet në video, të cilën "Stohos" e ka publikuar së bashku me një koment të gazetës. Në këtë koment, i cili për nga mënyra e trajtimit të problemit i shton dyshimet se bëhet fjalë për një spekulim të pastër, gazeta radikale i kërkon policisë dhe shërbimit sekret grek që të zbulojnë autorët e videos dhe të mos e marrin atë si një sajim, apo si një lojë adoleshentësh. Gjithashtu, gazeta ka tentuar ta popullarizojë sa më shumë çështjen, duke kërkuar edhe ndihmën e përdoruesve të internetit për të bërë identifikimin e personave që shfaqen në video.


"Stohos"

Gazeta e njohur për qëndrimet e saj shumë radikale dhe që ka publikuar shpesh deklarata të forta pro bashkimit të Vorio-Epirit me Greqinë, edhe kësaj radhe nuk i është shmangur protagonizmit antishqiptar. "Stohos" ka qenë e vetmja media që ka përshëndetur strukturat paraushtarake të MAVI-t (Ushtria Çlirimtare e Epirit të Veriut), të cilat në vitin 1994 pasi kaluan kufirin me Shqipërinë sulmuan një repart ushtarak në Peshkëpi të Gjirokastrës, duke vrarë dy ushtarakë shqiptarë dhe duke plagosur tre të tjerë. Po ashtu, gjatë ngjarjeve të vitit 1997, kjo gazetë ka kërkuar mobilizimin e të rinjve të Vorio-Epirit, për të luftuar për çlirimin e pjesës jugore të Shqipërisë dhe bashkimin e saj me Greqinë. Edhe në rastin e videos së propaganduar prej "Stohos", si vepër e "UÇÇ"-së, botuesit e kësaj gazete tentojnë të krijojnë idenë e një rreziku eminent ndaj shtetit të tyre, duke i bërë madje thirrje shtetit grek që të mos e konsiderojë atë si një lojë adoleshentësh. Në këtë mënyrë, gazeta radikale duket sikur i mëshon edhe më shumë stinës së nxehtë të provokimeve antishqiptare, që janë dendësuar dukshëm muajt e fundit.


Videoja e ushtarëve grekë

Provokimet virtuale nisën dy muaj më parë, kur shqiptarë me banim jashtë atdheut sinjalizuan ekzistencën e një videoje në internet, në të cilën paraqiteshin trupa ushtarake greke gjatë një seance stërvitore. Ushtarakët helenë këndonin këngë me nota të theksuara antishqiptare e antiturke, duke folur për vrasje dhe therje të këtyre popujve. Publikimi i kësaj videoje u pasua nga një valë reagimesh ekstremiste në disa qytete të Shqipërisë, ku të rinj të irrituar i vunë zjarrin flamurit grek në qendër të qyteteve të tyre. Më pas, vetë shteti grek hapi një hetim lidhur me faktet që paraqiteshin në atë material dhe zyrtarisht u deklarua se do të merreshin masa të rënda ndaj protagonistëve të kësaj ngjarjeje, por deri tani ende asnjë lajm për dënime nuk është bërë publik. G. Shqip
Shtuar më 30/04/2007, ora 12:20
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori